Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë dhe ministrat e tij për uzurpim të pozitave dhe institucioneve.
Hoxha këto deklarata i bëri në një konferencë për media para objektit të Qeverisë, ku po qëndrojnë deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ajo tha se PDK-ja ndodhet aty për të kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe rikthimin e funksionalitetit kushtetues.
“Kurti duhet ta kuptojë, që në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit: ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha Hoxha.
PDK-ja përsëriti thirrjen që Kurti, si subjekt që ka fituar shumicën parlamentare, të mundësojë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
“Albin Kurti nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Hoxha.
Ajo u bëri thirrje Kurtit dhe deputetëve të tij që të kthehen në Kuvend, me qëllim të nisjes së Legjislaturës së XI dhe rikthimit të rendit kushtetues. /Telegrafi/






