Hoti dhe Bajrami pas zhvillimeve në Kuvend: E bënë edhe më të qartë pse i thamë “JO” propozimit për president

Nacionale

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ato kanë dëshmuar arsyen pse gjashtë deputetë të kësaj partie kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për president. Hoti tha se Kosova nuk mund të vendoset, siç u shpreh ai, “nën […]

Madhësia e shkronjave

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ato kanë dëshmuar arsyen pse gjashtë deputetë të kësaj partie kanë kundërshtuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për president.

Hoti tha se Kosova nuk mund të vendoset, siç u shpreh ai, “nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm”.

“Zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës e bënë edhe më të qartë pse ne, gjashtë deputetët e LDK-së, i kemi thënë ‘JO’ propozimit të VV-së për President”, ka shkruar Hoti.

“Republika e Kosovës nuk mund të vendoset nën diktatin e një njeriu të papërgjegjshëm, që nuk ka asnjë ndjeshmëri për sakrificën e brezave mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë”, ka shtuar ai.

Ndaj zhvillimeve në Kuvend ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka akuzuar përfaqësuesit e LVV-së për standarde të dyfishta në raport me votimin e drejtuesve të institucioneve.

Bajrami ka kërkuar që përfaqësuesit e LVV-së të pyeten për qëndrimet që kishin mbajtur gjatë kohës sa ishin në opozitë.

“Pyetni eksponentët e LVV-së, kur kanë qenë në opozitë: A kanë votuar ndonjëherë për kryetar të Kuvendit? Me votat e kujt janë zgjedhur Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca nënkryetarë të Kuvendit? A kanë votuar ndonjëherë për President të Kosovës, duke qenë vetë në opozitë?”, ka shkruar Bajrami.

Në fund të reagimit të saj, ajo i ka quajtur “hipokritë” përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.