Pep Guardiola e kishte vlerësuar jashtëzakonisht shumë Marcus Rashfordin që në fillimet e karrierës së sulmuesit anglez, madje do ta kishte transferuar te Manchester City pa u menduar dy herë.
Këtë e ka zbuluar legjenda e Manchester Unitedit, Ryan Giggs, i cili rrëfeu një bisedë të veçantë me Guardiolën gjatë një darke të organizuar nga Sir Alex Ferguson rreth tetë apo nëntë vjet më parë.
Në atë periudhë, Rashford ishte ende në fillimet e karrierës së tij, ndërsa Guardiola sapo kishte marrë drejtimin e Manchester Cityt.
Giggs, i cili ishte ndihmës i Louis van Gaalit kur Rashford bëri debutimin e tij për Unitedin në shkurt të vitit 2016, tregoi se e kishte pyetur drejtpërdrejt Guardiolën se cilin lojtar të “Djajve të Kuq” e pëlqente më shumë.
Bisedën e tyre ai e ka rrëfyer në emisionin “Rio Ferdinand Presents: The Debrief”.
“E pyeta: ‘Cilin lojtar e pëlqen te Unitedi?’”, tregoi Giggs.
Sipas tij, Guardiola fillimisht nuk ia dha përgjigjen, por i kërkoi të provonte ta gjente vetë.
Giggs mendoi se trajneri spanjoll mund të kishte zgjedhur David de Gean apo Luke Shaw, por përgjigjja e tij ishte krejt tjetër.
“Ai tha: ‘Lojtari më i mirë te Manchester Unitedi është Marcus Rashford. Do ta merrja që nesër’”.
Giggs pranoi se ishte befasuar nga përgjigjja e Guardiolës, sidomos duke pasur parasysh se Rashford atëherë po shkëlqente kryesisht si qendërsulmues.
“Çfarë po sheh Guardiola?”, kujtoi Giggs, duke iu referuar përshtypjes së tij në atë kohë.
Rashford kishte shpërthyer në skenë si zëvendësues i Anthony Martialit të dëmtuar dhe shpejt ishte shndërruar në një nga talentet më premtuese të Manchester Unitedit./Telegrafi






