Kylian Mbappe ka folur për përvojën e tij nën drejtimin e Jose Mourinhos te Real Madridi, duke zbuluar mënyrën se si trajneri portugez po ndikon te skuadra si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë psikologjik.
Sulmuesi francez foli për “CBS Sports Golazo” pas fitores 2-1 ndaj Interit në Ligën e Kampionëve, duke e vlerësuar lart stilin e Mourinhos dhe mënyrën se si ai arrin t’i motivojë futbollistët.
Sipas Mbappes, një nga cilësitë kryesore të trajnerit portugez është aftësia për t’i bërë lojtarët të ndihen të rëndësishëm, ndërsa në të njëjtën kohë kërkon standarde shumë të larta prej tyre.

“Unë mendoj se gjëja e parë që ai sjell është se të bën të ndihesh i gjallë dhe plot energji. Të bën të ndihesh aktiv dhe efektiv në punën dhe rolin tënd, dhe të bën të ndihesh special”.
“Ai është dikush që ushtron shumë presion mbi ty dhe sjell shumë gjëra pozitive, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, por në të njëjtën kohë kërkon shumë nga ti”.
Mbappe theksoi gjithashtu intensitetin e madh që Mourinho kërkon gjatë stërvitjeve, si dhe komunikimin e vazhdueshëm mes trajnerit dhe futbollistëve.
“Ai ka një intensitet shumë të lartë në stërvitje dhe ka shumë komunikim mes tij dhe lojtarëve. Ne e dimë se ku dëshiron të shkojë dhe e dimë se çfarë dëshiron prej nesh, si dhe çfarë pret nga ne”.
Sulmuesi i Real Madridit foli edhe për besimin që Mourinho u jep futbollistëve dhe ndikimin që kjo ka në motivimin e tyre për të dhënë maksimumin në fushë.
“Dhe, sigurisht, kur trajneri të jep atë besim dhe atë pasion, nuk dëshiron ta zhgënjesh. Dëshiron të japësh më të mirën nga vetja”./Telegrafi/





