Heidi Lushtaku ka tërhequr vëmendjen e medieve turke pas një ndryshimi në profilin e saj në Instagram, i cili ka ngritur pikëpyetje rreth martesës së saj me futbollistin turk Merih Demiral.
Modelja me origjinë nga Kosova ka hequr mbiemrin “Demiral” nga profili i saj dhe është rikthyer të prezantohet vetëm si Heidi Lushtaku.
Ndryshimi është vënë re menjëherë nga mediet turke, të cilat kanë ngritur dyshime për një krizë të mundshme në çift.

Megjithatë, deri tani as Heidi dhe as Merih nuk kanë bërë ndonjë deklaratë që të konfirmojë ndarjen.
Një tjetër detaj që lë situatën të hapur është fakti se të dy vazhdojnë ta ndjekin njëri-tjetrin në Instagram.
Ndryshimi në rrjetet sociale nuk është kufizuar vetëm te mbiemri. Heidi ka ndryshuar edhe fotografinë dhe paraqitjen e profilit, duke lënë të mundur që bëhet fjalë për një rifreskim të imazhit të saj publik apo profesional.
Duke qenë se ajo prej vitesh është aktive në modeling dhe në rrjetet sociale, rikthimi te emri i saj i njohur profesionalisht mund të lidhet edhe me angazhimet në karrierë.
Heidi Lushtaku dhe Merih Demiral janë të martuar që nga viti 2021 dhe kanë dy djem.
Për momentin, ndryshimi i profilit është i vetmi fakt i konfirmuar, ndërsa çdo dyshim për një krizë apo ndarje mbetet në kuadër të spekulimeve të medieve turke. /Telegrafi/





