Pep Guardiola e gjeti “dozën” e tij të futbollit diku tjetër, ndërsa tifozët u kënaqën me një ndeshje të jashtëzakonshme të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich të mërkurën mbrëma.
Bayern goditi i pari në ndeshjen e parë gjysmëfinale, kur Harry Kane realizoi nga penalltia pasi Luis Diaz u rrëzua në zonë. Por kampionët në fuqi të Europës e përmbysën rezultatin falë golave të Khvicha Kvaratskhelias dhe Joao Neves, duke e çuar “Parkun e Princave” në delir.
Michael Olise vazhdoi formën e tij të shkëlqyer dhe tregoi pse konsiderohet një nga lojtarët më të mirë në botë, duke barazuar me një gol shkatërrues. Më pas, PSG fitoi një penallti të diskutueshme, të cilën Ousmane Dembélé e shndërroi në gol për ta çuar rezultatin në 3-2.
Kvaratskhelia dhe Dembele shënuan sërish, teksa ekipi i Luis Enrique “shpërtheu” në sulm, por Bayern reagoi me dy gola të tjerë përmes Dayot Upamecanos dhe Luis Diaz, duke e ngushtuar rezultatin në 5-4.
Dy skuadrat më të mira të këtij edicioni të kompeticionit dhuruan një përballje marramendëse në kryeqytetin francez, me cilësi të pafund në sulm dhe lojë të vazhdueshme nga njëra zonë te tjetra.
Megjithatë, Guardiola nuk po e shikonte këtë spektakël. Përkundrazi, kamerat e kapën atë në tribunë në ndeshjen e League One mes Stockport County dhe Port Vale.
Trajneri i Manchester Cityt, i freskët pas kualifikimit në një tjetër finale të FA Cup, bëri një udhëtim të shkurtër drejt Edgeley Park, dhe natyrisht tifozët reaguan ndaj pranisë së tij.
Pavarësisht diferencës prej 18 vendeve mes dy skuadrave në tabelë, Port Vale fitoi 2-1 si mysafir.
Arsyeja e saktë e pranisë së Guardiolës mbetet e panjohur, por ai, pas një dekade në Angli, ka folur shpesh për dashurinë e tij ndaj futbollit në këto anë./Telegrafi/






