Gjyqtari skocez Nicholas Walsh do të jetë në krye të ndeshjes ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, e cila zhvillohet sot në Vjenë, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Walsh do të ketë në krah bashkëkombësit Francis Connor dhe Daniel McFarlane, të cilët do të jenë gjyqtarë anësorë.
Gjyqtar i katërt do të jetë Donald Robertson, ndërsa në sistemin VAR do të jenë Steven McLean dhe John Beaton.
Kosova dhe Austria hyjnë në këtë përballje me nga tri pikë. “Dardanët” e nisën këtë edicion me fitore 1-0 ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”, falë golit të Vedat Muriqit në minutat e fundit të ndeshjes.
Në anën tjetër, Austria e nisi kampanjën me fitore 3-1 ndaj Izraelit, duke marrë tri pikë në shtëpi dhe duke e bërë edhe më të rëndësishme përballjen e sotme në Vjenë.
Kosova do të jetë pa mbrojtësin Albian Hajdari, i cili mungon për shkak të lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Irlandës. /Telegrafi/





