Kosova pritet të zbresë me një ndryshim të rëndësishëm taktik në ndeshjen ndaj Austrisë, me Franco Fodën që mund t’i rikthehet skemës 3-5-2, në sfidën që zhvillohet të dielën në “Ernst Happel Stadion” të Vjenës. Ndryshime në momentet e fundit, me Albian Hajdarin, që nuk ia del për takimin me austrikaët.
Telegrafi beson se formacioni i mundshëm i “Dardanëve” pritet të jetë: Arijanet Muric në portë: Lumbardh Dellova, Ilir Berisha dhe Ron Raçi në vijën e mbrojtjes; në mesfushë Leon Avdullahu, Veldin Hoxha dhe Valmir Matoshi, ndërsa në krahë pritet të aktivizohen dyshja Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni. Vedat Muriqi në sulm pritet ta ketë partner Fisnik Asllanin që mund të luajë pas tij.
Kjo skemë do t’i jepte Kosovës një strukturë me tre qendërmbrojtës, pesë lojtarë në mesfushë dhe një sulmues të avancuar, me Asllanin që do të kishte rol mbështetës pas Muriqit.
Në fazën pa top, formacioni mund të shndërrohet në një 5-4-1, me lojtarët e krahëve që do të tërhiqeshin më poshtë për ta mbyllur hapësirën. Kur Kosova ka topin, ata mund të avancojnë dhe ta kthejnë sistemin në një 3-5-2 më agresiv.
Në prapavijë, Dellova, Krasniqi dhe Raçi, që bashkohet pas lëndimit të Hajdarit. Treshja që luajti edhe ndaj Irlandës nuk do të jetë, por detyra mbetet e njëjtë, ta mbajë ekipin kompakt përballë sulmit të Austrisë, ndërsa Muric do të jetë sërish zgjedhja e parë në portë.
Ndryshimi kryesor pritet të vijë në mesfushë, ku Foda mund t’i bashkojë Leon Avdullahut dhe Veldin Hoxhës edhe Valmir Matoshin. Kjo do t’i jepte Kosovës një lojtar më shumë në qendër dhe do të mundësonte që skuadra të jetë më kompakte ndaj një Austriaje që pritet të kërkojë kontrollin e mesfushës.
Për dallim nga ndeshja me Irlandën, ku Kosova kishte lojtarë më klasikë të krahut si Baran Zaberxha dhe Edon Zhegrova, këtë herë nuk pritet që Foda të luajë me të njëjtën strukturë. Lojtarët e krahut do të kenë më shumë përgjegjësi në të dy fazat e lojës, duke kaluar nga roli mbrojtës në atë ofensiv gjatë tranzicionit.
Në qendër, Avdullahu pritet të ketë përsëri detyrën për t’i dhënë ekuilibër skuadrës, ndërsa Hoxha dhe Matoshi mund të kenë më shumë liri për të avancuar. Një treshe e tillë do t’i mundësonte Kosovës të ketë më shumë opsione për ta mbajtur topin dhe për të dalë nga presioni i Austrisë.
Në sulm, Vedat Muriqi pritet të mbetet pika kryesore e repartit ofensiv, ndërsa Fisnik Asllani mund të luajë pas tij. Dyshja Muriqi–Asllani ishte përdorur edhe në disa prej ndeshjeve të suksesshme të Kosovës në fazën e kaluar eliminatore për Kupën e Botës, ndaj Foda mund t’i rikthehet këtij kombinimi në një ndeshje ku kërkohet një qasje më e kujdesshme si mysafir. /Telegrafi/





