Të paktën 10 alpinistë nepalezë, të cilët po përgatiteshin të udhëhiqnin një ekspeditë, rezultojnë të zhdukur pasi një ortek goditi një kamp bazë në Himalaje të dielën.
Organizatorët e ngjitjes thanë se udhërrëfyesit vendas ndodheshin në një pikë ndërmjetëse pranë majës Himlung Himal, në distriktin Manang, kur orteku goditi të dielën në mëngjes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Parashikimet treguan se kishte pasur reshje të dendura bore rreth majës me lartësi 7,126 metra gjatë ditëve të fundit; kjo majë ndodhet në kufirin e Nepalit me Tibetin.
Dhe siç theksohet më tej, kushtet e këqija të motit kanë penguar përpjekjet e shpëtimit, pasi helikopterët dhe ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur të arrijnë në vendngjarje.
Bibhuti Chand Thakur, nga kompania “Himalaya Holidays Trekking”, i tha agjencisë së lajmeve AFP: “Tetë anëtarë të ekipit tonë të ekspeditës dhe dy të tjerë nga një kompani tjetër janë raportuar të zhdukur”.
Ekipi nepalez ishte dërguar përpara alpinistëve të huaj për të përgatitur kampin, për të menaxhuar itinerarin dhe për të vendosur litarët në mal. /Telegrafi/






