Dita e dytë e plotë e edicionit të 17-të të Anibar-it i dha jetë festivalit me punëtori, shfaqje filmash, ekspozita dhe mundësi të panumërta për t’u lidhur mes krijuesve dhe publikut. Nga diskutimet e deri te përvojat e realitetit virtual, kjo ditë pasqyroi përkushtimin e festivalit ndaj kreativitetit, bashkëpunimit dhe rrëfimit të ndershëm të historive.
Mëngjesi nisi me “Meet the Filmmakers” ku regjisorët dhe krijuesit e filmave të përzgjedhur u mblodhën për kafe dhe bisedë në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Ky sesion informal krijoi një ambient mikpritës për biseda rreth animacionit, proceseve krijuese dhe historive pas përzgjedhjeve të këtij viti.
Ishte një mundësi e shkëlqyer që artistë nga rrethe të ndryshme të shkëmbenin ide, të krijonin lidhje dhe të festonin komunitetin që animacioni vazhdon të ndërtojë.
Një nga pikat kryesore të ditës ishte hapja e Punëtorisë së Kritikës së Filmit, nën mentorimin e Amanda Barbour. Përmes shfaqjeve, diskutimeve në grup dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit eksploruan se çfarë e bën një kritikë filmi të menduar mirë dhe tërheqëse.

Punëtoria u fokusua në zhvillimin e mendimit kritik, gjetjen e zërit personal në shkrim dhe përballjen me sfidat bashkëkohore, përfshirë ndikimin në rritje të Inteligjencës Artificiale (AI) në kritikë. Përgjatë festivalit, pjesëmarrësit do të shkruajnë recensione për filmat e përzgjedhur zyrtarisht, tekstet e të cilëve do të botohen në revistën zyrtare (zine) të Anibar-it.
Për ata që kërkonin një përvojë ndryshe kinematografike, Programi VR (Realiteti Virtual) mirëpriti vizitorët në Galerínë e Arteve me pesë vepra të imersive të animuara. Duke i ofruar publikut mundësinë për të “hapur derën” dhe për të hyrë brenda historive në vend që thjesht t’I shikojë ato, ky program e prezanton animacionin përmes realitetit virtual dhe do të qëndrojë i hapur çdo ditë gjatë festivalit nga ora 11:00 deri në 16:00.
Audienca e re gjithashtu mori vëmendjen me shfaqjen e parë të Young Audience Competition në qendrën kreative “Dukagjini”. Ky program argëtues dhe i qasshëm u mirëprit ngrohtësisht nga juria, duke shënuar një fillim plot gëzim për garën e këtij viti.
Në të njëjtën kohë, publiku në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” eksploroi programin “Swiss Focus”, një përzgjedhje e kuruar prej gjashtë filmash të shkurtër të animuar bashkëkohorë zviceranë.
Programi prezantoi stile të ndryshme rrëfimi, teknika artistike dhe këndvështrime unike, duke ofruar një dritare mbi pasurinë e skenës së animacionit në Zvicër.
Më vonë gjatë ditës, Petrit Gora prezantoi programin “Commissioned Work” një përzgjedhje jokonkurruese që shfaqi filma të krijuar përmes projekteve të porositura. Për t’i dhënë një kthesë interaktive shfaqjes, publiku u ftua të skanonte një kod QR në fund të programit për të votuar dy filmat e tyre të preferuar, duke u bërë kështu pjesë aktive e përvojës.
Festivali shfaqi gjithashtu AniDox, programin e animacionit dokumentar jokonkurrues të Anibar-it, i cili solli pesë dokumentarë të fuqishëm të animuar që trajtonin histori thellësisht personale dhe me rëndësi shoqërore. Duke prekur tema si sfidat mjedisore, martesat e fëmijëve dhe mëmësia, filmat ndërthurën rrëfimin intim me një shprehje të jashtëzakonshme artistike. Edhe pse programi nuk është pjesë e garës zyrtare, publiku ka ende mundësi të mbështesë filmin e tij të preferuar për Audience Award.
Përtej shfaqjeve, ekspozita “Posterat për Palestinën” mirëpriti publikun për një përvojë ndryshe, plot humanizëm. Mats Grorud pati nderin të hapte ekspozitën, ku audienca pati mundësinë të krijonte posterët e vet në solidaritet me Palestinën. Gjatë ngjarjes u shitën produkte promovuese (merch) dhe posterë, dhe të gjitha fitimet do të shkojnë për artistët palestinezë që punojnë në kushte ekstreme.
Mbrëmja vazhdoi në Kino Liqeni me International Competition I, ku u shfaqën katër filma:
● La vie avec un idiot (Jeta me një idiot) ndoqi Vladimirin, një burrë i dënuar nga autoritetet për të jetuar me një pacient azili që mund të nxjerrë vetëm një tingull të vetëm.
● Klonter e çoi publikun në një udhëtim surreal teksa Frenki, duke besuar se po vdes, shndërrohet papritur në një planet ku jeta e re fillon të lulëzojë.
● This Is Your Captain Speaking (Këtu flet kapiteni juaj) imagjinoi një botë ku fqinjët mund të fluturonin për një ditë, duke zbuluar se si e njëjta ëndërr ka një kuptim të ndryshëm për secilin individ.
● Duke përmbyllur programin, Once in a Body (Një herë në një trup) eksploroi marrëdhënien komplekse midis dy motrave, teksa njëra lufton me një forcë misterioze që i ka pushtuar trupin, duke zbuluar të vërteta të dhimbshme për të kaluarën e tyre të përbashkët.
Ndërkohë, Kino Bazaar mirëpriti publikun në programin e filmave të metrazhit të gjatë me Savages, filmin e vlerësuar stop-motion të Claude Barras. Përmes syve të një vajze të re në Borneo, filmi eksploron çështje urgjente mjedisore, shkatërrimin e pyjeve tropikale dhe ndikimin e qëndrueshëm të kolonializmit, në një histori që është sa mahnitëse vizualisht, aq edhe thellësisht prekëse.
Dita u mbyll në mënyrë emocionuese në Kino Kuba (Cube Cinema), ku Student Competition I bëri bashkë histori intime, personale dhe me rezonancë emocionale nga kineastët e rinj. Me disa regjisorë nga Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Holanda të pranishëm në shfaqje, publiku pati mundësinë të qëndronte për biseda, të bënte pyetje dhe të zbulonte frymëzimet pas filmave, duke e përmbyllur mbrëmjen me shkëmbime kuptimplote mes artistëve dhe shikuesve.
Me bisedat që rridhnin natyrshëm, punëtoritë në proces e sipër, filmat që mbushën çdo sallë shfaqjeje dhe ekspozitat që hapën dyert, dita e parë e Anibar 17 vendosi tonin për një javë kushtuar animacionit, kreativitetit dhe fuqisë së historive për të bërë njerëzit bashkë.





