Kryetari i Aleancës për Kosovën, Ardian Gjini, ka thënë në “Marshin për Liri” në Prishtinë se qytetarët e mbledhur sot po i dërgojnë një mesazh të gjithë botës, miqve dhe kundërshtarëve të Kosovës, duke theksuar se katër krerët e UÇK-së që aktualisht ndodhen në paraburgim në Hagë kanë luftuar kundër forcave që, sipas tij, kanë kryer krime ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ai tha se UÇK-ja kishte luftuar kundër atyre që, sipas tij, kishin kryer krime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
“A e dini kundër kujt kanë luftuar këta, kundër kujt ka luftuar UÇK-ja, a e dini kundër kujt kanë luftuar këta katër burra që sot nuk janë të lirë, por kanë me qenë të lirë, sepse ne jemi të lirë? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionët, frigoriferët me trupa, bashkëqytetarëve tanë, të shqiptarëve, djemve e vajzave të reja, pleqve, gra. Kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar me mijëra gra në Kosovë. Kanë luftuar kundër atyre që më 14 dhjetor 1998 i kanë vrarë fëmijët e vetë, të na akuzojnë neve. Fëmijët e vet i kanë vrarë, me na akuzu neve, kundër atyre kanë luftuar këta njerëz. Dhe shumë prej jush që jeni këtu sot, komandantë të UÇK-së, ushtarë, kundër atyre kanë luftuar, kundër të njëjtëve njerëz që kanë organizuar me vra njerëz në Sarajevë, të njëjtit kanë ardhur këtu me vra shqiptarë, kundër atyre kanë luftuar. E qysh munden me pas faj, me pas faj një popull, njerëzit që kanë kap pushkën për liri kundër atyre që kanë katilët më të mëdhenj në 80 vjetët e fundit në Evropë, kundër atyre kanë luftuar këta njerëz”, tha ai.
Gjini tha se qytetarët do t’i presin të lirë ish-pjesëtarët e UÇK-së.






