Kombëtarja e Anglisë e nisi me fitore aventurën në Kupën e Botës, pasi mposhti Kroacinë me rezultat 4-2 në Arlington, në kuadër të xhiros së parë të Grupit L.
“Tre Luanët” kaluan dy herë në epërsi gjatë pjesës së parë me Harry Kane, por kroatët reaguan në të dy rastet. Fillimisht, Martin Baturina realizoi një gol të bukur për 1-1, ndërsa Petar Musa barazoi në 2-2 pak para pushimit, duke bërë që skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes me gjithçka të hapur.
Megjithatë, anglezët ngritën nivelin në pjesën e dytë dhe dominuan takimin. Jude Bellingham riktheu epërsinë për ekipin e Thomas Tuchel, ndërsa Marcus Rashford vulosi fitoren me golin për 4-2, duke siguruar tre pikët e para për favoritët e grupit.
Pas ndeshjes, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u shpreh i kënaqur me reagimin e skuadrës së tij, duke pranuar se pjesa e parë nuk ishte në nivelin e duhur.
“Ishte një ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari të fortë, luajtëm dobët në pjesën e parë, por ishim shumë më të mirë dhe më energjikë në të dytën. Fitorja e parë dhe jemi të lumtur për tifozët”, tha trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, pas ndeshjes dhe vazhdoi:
“Reaguam shkëlqyeshëm në pjesën e dytë pas një ndeshjeje të keqe të parë. Krijuam shumë dhe meritonim të fitonim. Ishim pasivë pasi shënuam dhe u penalizuam, por reaguam mirë pas kësaj. Gjëja më e rëndësishme është se si reagon pasi pranon një gol.”
Me këtë fitore, Anglia hedh një hap të rëndësishëm drejt fazës së eliminimit direkt dhe konfirmon statusin e një prej pretendentëve kryesorë për triumfin në Botëror. Në anën tjetër, Kroacia do të kërkojë të rikuperohet në ndeshjet e ardhshme për të mbetur në garë për kualifikim. /Telegrafi/






