Garat vendimtare në zgjedhjet e mesmandatit që duhet t’i ndiqni sonte

Bota

Zgjedhjet e mesmandatit përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan dhe, rrjedhimisht, agjendën legjislative të shtetit më të fuqishëm në botë. Për të përmbysur shumicën aktuale republikane në Kongres, demokratët duhet të fitojnë së paku tri ulëse neto në Dhomën e Përfaqësuesve dhe katër ulëse në Senat. Një fitore e demokratëve në të dyja […]

Madhësia e shkronjave

Zgjedhjet e mesmandatit përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Kongresin amerikan dhe, rrjedhimisht, agjendën legjislative të shtetit më të fuqishëm në botë.

Për të përmbysur shumicën aktuale republikane në Kongres, demokratët duhet të fitojnë së paku tri ulëse neto në Dhomën e Përfaqësuesve dhe katër ulëse në Senat.

Një fitore e demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit mund ta kufizojë ndjeshëm pushtetin e presidentit amerikan, Donald Trumpit.

Skynews më poshtë sjell garat që duhen ndjekur nga afër, pasi rezultatet e tyre mund të tregojnë se kush po fiton betejën për dominim politik pas votimit të së martës.

Senati

Demokratët duhet t’i mbrojnë të gjitha ulëset që aktualisht i kanë në Senat dhe të fitojnë edhe katër të tjera, ose të sigurojnë një bilanc neto prej katër ulësesh nga 35 vendet që janë në garë për rizgjedhje. Kështu, ata mund të sigurojnë shumicën prej 51 ulësesh në Senatin me gjithsej 100 anëtarë.

Shtetet kyçe ku demokratët duhet ta ruajnë epërsinë: Gjeorgjia, Michigani dhe New Hampshiri janë ndër garat më të ngushta për ulëset që aktualisht kontrollohen nga demokratët.

Objektivat afatgjata për t’i fituar: Demokratët prej kohësh synojnë të marrin ulëset në Maine dhe Karolinën e Veriut.

Bastionet republikane që mund të kalojnë te demokratët: Demokratët shohin mundësi për fitore në bastionet republikane në Alaskë, Iowa, Ohio dhe Teksas, për shkak të pakënaqësisë së votuesve me rritjen e kostos së jetesës dhe luftën në Iran.

Pritet që beteja për Teksasin, ku demokratët nuk kanë fituar asnjë garë në nivel shtetëror që nga viti 1994, të jetë një tregues i veçantë i rezultatit të përgjithshëm të zgjedhjeve.

Dhoma e Përfaqësuesve

Demokratëve u nevojitet një fitore neto prej së paku tri ulësesh për të siguruar shumicën prej 218 vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila ka gjithsej 435 ulëse dhe të gjitha janë në garë për rizgjedhje.

Ata do të synojnë të fitojnë sa më shumë ulëse në një numër më të kufizuar distriktësh ku gara konsiderohet konkurruese. Këtu përfshihen:

– Distriktet me diferenca të ngushta në zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongres të vitit 2024: Përfshijnë distriktin e katërt dhe të 19-të në Nju-Jork, që aktualisht kontrollohen nga demokratët, si dhe distriktin e tetë në Kolorado, të shtatin në Miçigan, të 22-tin në Kaliforni dhe të dytin në Nebraska, që kontrollohen nga republikanët.

– Distriktet ku votuesit kanë mbështetur parti të ndryshme: Bëhet fjalë për zonat ku votuesit kanë zgjedhur një parti për president dhe një tjetër për Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2024. Këtu përfshihen distrikti i 17-të në New York dhe i pari në Pensilvani, që aktualisht kontrollohen nga republikanët, si dhe distrikti i dytë në Maine dhe i treti në Uashington, që kontrollohen nga demokratët.

– Distriktet që ndryshuan përkatësinë partiake: Zonat ku njëra parti ia mori ulësen tjetrës në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2024.

– Distriktet me ulëse të lira: Zonat ku deputeti aktual nuk është kandidat në zgjedhjet e vitit 2026. Në këtë kategori përfshihen distrikti i dytë në Minesota dhe i pari në New Hampshir.

– Distriktet, kufijtë e të cilave janë rishikuar në favor të republikanëve: Këto ndryshime janë bërë duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Një shembull është distrikti i dytë në Alabama. /Telegrafi/

Komentet