Pesë të arrestuar për zhvatje dhe sulme me granata në Greqi, në mesin e të dyshuarve edhe një shqiptar i njohur

Nacionale

Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal që dyshohet se zhvaste pronarë biznesesh në qendër të Athinës, duke kërkuar para në këmbim të të ashtuquajturës “mbrojtje”. Gjatë një operacioni të zhvilluar të martën, më 3 nëntor, janë arrestuar pesë persona në rajonin e Atikës, ndërsa në dosjen hetimore përfshihen edhe katër persona të tjerë që […]

Madhësia e shkronjave

Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal që dyshohet se zhvaste pronarë biznesesh në qendër të Athinës, duke kërkuar para në këmbim të të ashtuquajturës “mbrojtje”.

Gjatë një operacioni të zhvilluar të martën, më 3 nëntor, janë arrestuar pesë persona në rajonin e Atikës, ndërsa në dosjen hetimore përfshihen edhe katër persona të tjerë që ndodhen në burgje.

Sipas mediumit grek in.gr, si udhëheqës i dyshuar i grupit konsiderohet një shtetas shqiptar, i përshkruar nga autoritetet si figurë e njohur e të ashtuquajturës mafie shqiptare të burgjeve.

Ai dyshohet se jepte urdhra për sulme me granata ndaj bizneseve, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë që ndodhen në burg janë një person me origjinë rome nga Shqipëria dhe dy shtetas egjiptianë.

Hetimet kanë zbardhur tri sulme me granata ndaj kafeneve në zonat e Agios Panteleimonas dhe Omonias, në qendër të Athinës, transmeton Telegrafi.

Dy sulmet e para ndodhën në orët e para të 8 shtatorit, me një interval prej rreth 30 minutash. Në rastin e parë, një person i panjohur theu xhamin e një lokali në rrugën Acharnon dhe hodhi brenda një granatë, e cila shpërtheu. Një sulm i ngjashëm ndodhi pak më vonë në një tjetër kafene, pranë sheshit Amerikis.

Më 5 tetor, një tjetër granatë u hodh në lokalin në rrugën Acharnon, por këtë herë ajo nuk shpërtheu.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse grupi ishte i përfshirë në një zjarrvënie të qëllimshme më 29 shtator në një kafene në Nea Jonia, ku lokali u shkatërrua plotësisht dhe zjarri shkaktoi dëme edhe në nëntë banesa të ndërtesës.

Të dyshuarit po hetohen për përfshirje në zhvatje, sulme me e******** dhe tentativë vrasjeje.

Policia greke po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rastet dhe rolin e secilit person të përfshirë./Telegrafi/

Komentet