Grenlanda miraton marrëveshjen e sigurisë me Danimarkën dhe SHBA-në pas muajsh presioni nga Trumpi

Bota

Ligjvënësit e Grenlandës votuan të martën në favor të një marrëveshjeje mes ishullit, Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara, që synon forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut. Marrëveshja trepalëshe u miratua pas disa muajsh presioni nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili kishte kërkuar që ky territor gjysmëautonom, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës […]

Madhësia e shkronjave

Ligjvënësit e Grenlandës votuan të martën në favor të një marrëveshjeje mes ishullit, Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara, që synon forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut.

Marrëveshja trepalëshe u miratua pas disa muajsh presioni nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili kishte kërkuar që ky territor gjysmëautonom, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe aleate e NATO-s, të bëhej pjesë e Shteteve të Bashkuara, transmeton Telegrafi.

Ajo hap rrugën për krijimin e bazave të tjera amerikane në Grenlandë dhe synon të ulë tensionet e shkaktuara nga deklaratat e përsëritura të Trumpit për marrjen e kontrollit mbi ishullin e madh arktik.

Qëllimi i marrëveshjes është forcimi i pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin danez mbi ishullin, i cili gëzon vetëqeverisje. Marrëveshja do të mbetet në fuqi edhe nëse Grenlanda vendos në të ardhmen të shpallë pavarësinë.

Në votimin e së martës, 16 ligjvënës votuan pro marrëveshjes, asnjë kundër, ndërsa shtatë abstenuan.

Trumpi, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e nënshkruan marrëveshjen në shtator, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Marrëveshja pritet të debatohet nga ligjvënësit danezë më vonë gjatë këtij muaji. Ajo do të hyjë në fuqi pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme parlamentare në Mbretërinë e Danimarkës, në bashkëpunim me Grenlandën. /Telegrafi/

Komentet