Lulzim Shala nga Lipjani kandidon për deputet në Parlamentin e kantonit Fribourg në Zvicër

Nacionale

Një tjetër shqiptar me rrënjë nga Kosova synon të marrë një ulëse në institucionet politike të Zvicrës. Lulzim Shala, me prejardhje nga Lipjani, është kandidat për deputet në Parlamentin e kantonit Fribourg (Grand Conseil), në zgjedhjet kantonale që do të mbahen më 8 nëntor 2026. Shala garon nga radhët e Partisë Liberale-Radikale (PLR), në zonën […]

Madhësia e shkronjave

Një tjetër shqiptar me rrënjë nga Kosova synon të marrë një ulëse në institucionet politike të Zvicrës.

Lulzim Shala, me prejardhje nga Lipjani, është kandidat për deputet në Parlamentin e kantonit Fribourg (Grand Conseil), në zgjedhjet kantonale që do të mbahen më 8 nëntor 2026.

Shala garon nga radhët e Partisë Liberale-Radikale (PLR), në zonën zgjedhore të Broye-s. Ai është prezantuar në mesin e kandidatëve të kësaj partie gjatë asamblesë së mbajtur më 11 qershor, ndërsa në raportimet e shtypit lokal figuron me vendbanim në Rueyres-les-Prés.

Sipas gazetës lokale “La Broye”, dega e PLR-së në Broye synon të ruajë tri ulëset që aktualisht i ka në Parlamentin kantonal.

Angazhimi politik i Shalës nuk kufizohet vetëm në nivelin kantonal. Emri i tij figuron edhe në listën e kandidatëve të PLR-së për zgjedhjet e vitit 2026 në Këshillin e Përgjithshëm të komunës së Estavayer-së, organi legjislativ komunal, shkruan Telegrafi.

Në mesazhin promovues të kandidaturës së tij vihet në pah rëndësia e përfshirjes së komunitetit shqiptar në jetën institucionale të Zvicrës dhe e pjesëmarrjes aktive në proceset politike e vendimmarrëse.

Zgjedhjet e 8 nëntorit do të jenë një moment i rëndësishëm politik për kantonin Fribourg, pasi qytetarët do të votojnë për përbërjen e re të Parlamentit kantonal, Qeverisë kantonale dhe prefektëve.

Kandidatura e Lulzim Shalës përfaqëson një tjetër rast të angazhimit të shqiptarëve të Kosovës në politikën zvicerane, duke synuar përfaqësim në institucionet vendimmarrëse të vendit ku jetojnë dhe veprojnë./Telegrafi/

Komentet