Autoritetet në Filipine kanë bllokuar përkohësisht videolojën GoreBox, pasi hetimet paraprake zbuluan se një nga adoleshentët e dyshuar për një sulm me armë në një shkollë të mesme ishte përdorues i saj.
Nga sulmi, i ndodhur të hënën në një klasë në qytetin e Taclobanit, në juglindje të Manilës, humbën jetën tre nxënës, ndërsa 20 të tjerë mbetën të plagosur. Dy të dyshuarit janë të moshës 15 dhe 14 vjeç.

Policia tha se 14-vjeçari luante GoreBox, një videolojë me përmbajtje tepër të dhunshme, e cila lejon përdorimin e një arsenali armësh dhe eksplozivësh.
Agjencia filipinase për sigurinë kibernetike deklaroi se ndalimi i përkohshëm i lojës do t’u japë autoriteteve kohë për të vlerësuar nëse ajo ka pasur ndonjë ndikim në veprimet e të dyshuarve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se deri më sot studimet shkencore nuk kanë gjetur prova që videolojërat shkaktojnë drejtpërdrejt sjellje të dhunshme.
GoreBox ka klasifikim R18 nga Koalicioni Ndërkombëtar i Vlerësimit të Moshës, për shkak të përmbajtjes së saj jashtëzakonisht të dhunshme.
Pas ngjarjes, ligjvënësi filipinas Chel Diokno bëri thirrje për masa më të ashpra ndaj personave që u lejojnë të miturve të kenë qasje në armë zjarri. /Telegrafi/





