Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe me mbështetjen e Caritas Zvicër, do të organizojë takime biznesore B2B ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës.
Takimi do të mbahet të premten, më 7 gusht 2026, nga ora 10:00, në restorantin “Ariu” në Jezerc të Ferizajt.

Sipas Komunës, aktiviteti synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet bizneseve nga Kosova dhe diasporës, përmes krijimit të partneriteteve dhe zgjerimit të kontakteve profesionale.
Në kuadër të takimeve, bizneset pjesëmarrëse do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvoja dhe ide, si dhe të identifikojnë mundësi për investime dhe bashkëpunime të reja.
Komuna e Ferizajt ka ftuar bizneset e interesuara që t’i bashkohen aktivitetit dhe ta shfrytëzojnë atë për krijimin e lidhjeve të reja me bizneset e diasporës. /Telegrafi/





