Faleminderit që na mundësove ta shihnim edhe një herë në aksion Lionel Messin.
Faleminderit që, kur shumëkush mendonte se kapitulli yt në futbollin elitar kishte përfunduar, na kujtove se madhështia nuk njeh moshë.
Për dy vite me radhë, larg skenës më të madhe evropiane, në MLS, shumë nisën të besonin se Messi ishte bërë pjesë e së kaluarës. Shifrat që vinin nga atje, me 67 ndeshje dhe 62 nuk na bënin përshtypje. Se magjia e tij tashmë do të shijohej vetëm në videot e YouTubeit dhe në kujtimet e atyre që patën fatin ta shihnin në kulmin e karrierës.
Por Botërori 2026 na e kujtoi edhe një herë se disa futbollistë nuk maten me shpejtësinë, forcën apo moshën. Ata maten me mendjen. Me vizionin. Me talentin. Me aftësinë për ta parë lojën disa sekonda përpara të gjithëve.
Messi u kthye nën reflektorët e futbollit botëror në vendin ku jeton prej dy vitesh dhe, për më shumë se një muaj, na dhuroi edhe një herë atë që vetëm ai di të bëjë: magji.
Tetë gola. Katër asistime. Përfshirje direkte në 12 gola. Lojtari më vendimtar i këtij Kampionati Botërori.
Ndoshta ai nuk vrapon më si dikur. Nuk i driblon pesë kundërshtarë nga mesi i fushës aq shpesh sa në vitet e Barcelonës. Nuk ka më shpërthimin e djaloshit që mahniti botën në vitin 2006.
Sot, ndaj Anglisë, dukej pothuajse e pamundur mënyra se si gjithmonë gjente zgjidhjen ideale. Çdo top që kalonte nga këmbët e tij dukej se kishte një destinacion të paracaktuar. Çdo prekje ishte e menduar. Çdo pasim ishte një ide që askush tjetër nuk e kishte parë.
Kur Argjentina ishte në vështirësi dhe dukej se ëndrra e finales po largohej, ishte sërish ai që mori përgjegjësinë.
Fillimisht gjeti Enzo Fernándezin me një pasim perfekt për golin e barazimit 1-1.
Pastaj, në minutat shtesë, dhuroi edhe një harkim magjik për Lautaro Martínezin, i cili realizoi golin e përmbysjes 2-1.
Një tjetër ndeshje që mbante vulën e Lionel Messit.
Në futboll ka pasur shumë lojtarë të mëdhenj. Ka pasur fenomenë. Ka pasur kampionë.
Messi është artisti më i madh që ka njohur ky sport.
Ai nuk ka pasur nevojë kurrë të bërtasë për të treguar madhështinë e tij. Nuk ka pasur nevojë të provokojë, të krijojë polemika apo të ndërtojë një personazh.
Nëse Argjentina do ta fitojë edhe këtë Botëror, Messi do të bëhet një nga futbollistët e rrallë në histori me dy Kupa Bote si protagonist absolut. Nëse nuk e fiton, kjo nuk do të ndryshojë asgjë në trashëgiminë e tij.
Ka fituar pothuajse çdo rekord individual që mund të fitohet.
Por mbi të gjitha, ka fituar diçka që nuk blihet dhe nuk dhurohet me trofe.
Dashurinë dhe admirimin e miliona njerëzve.
Të dielën mund të jetë vallëzimi i tij i fundit në skenën më të madhe të futbollit, ndaj Spanjës, vendit ku e nisi madhështinë e tij. Mund të jetë hera e fundit që e shohim në një finale të Kupës së Botës, në turneun ku ai debutoi si një djalosh 18-vjeçar dhe ku sot, njëzet vjet më vonë, vazhdon të jetë njeriu që vendos fatin e ndeshjeve.
Dhe ndoshta ky është mrekullia më e madhe.
Njëzet vjet më vonë, bota ende pret që topi t’i shkojë Messit.
Sepse kur topi është te Leo, gjithçka duket e mundur.
Faleminderit që na bëre të dashurohemi me futbollin edhe një herë.
Faleminderit, më i madhi i të gjitha kohërave.






