Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” ka përfunduar procesin e rikuperimit dhe është e gatshme për përballjen Kosovë-Izrael, e cila zhvillohet më 14 nëntor, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë sërish nikoqir i Dardanëve, pasi fusha e tij ka përfunduar procesin e rikuperimit dhe tashmë është në gjendje të mirë për të pritur ndeshjen e radhës së Përfaqësueses së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), përmes një postimi në faqen zyrtare, të cilin e ka shoqëruar edhe me disa fotografi nga gjendja e fushës.
Sipas njoftimit të FFK-së, Kosova do të përballet me Izraelin më 14 nëntor, në orën 15:00, në ndeshjen e fundit që Dardanët do ta zhvillojnë në shtëpi për këtë vit.
Pas kësaj përballjeje, skuadra e drejtuar nga Franco Foda do të udhëtojë drejt Dublinit, ku do ta zhvillojë ndeshjen ndaj Irlandës, duke e përmbyllur kështu këtë cikël të Ligës së Kombeve.
Rikuperimi i fushës së “Fadil Vokrrit” vjen në prag të një ndeshjeje të rëndësishme për Kosovën, e cila do të kërkojë të shfrytëzojë përkrahjen e tifozëve për të marrë rezultat pozitiv para publikut vendas. /Telegrafi/