Probleme të përsëritura me “Escherichia Coli”, AUV ndalon importin e produkteve nga “AD Mlekarna Tetovo”

Nacionale

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e importit të produkteve ushqimore nga stabilimenti “AD Mlekarna Tetovo”, Maqedonia e Veriut, si dhe largimin e tij nga lista e stabilimenteve të aprovuara për import në Republikën e Kosovës. AUV njofton se vendimi i datës 6 nëntor 2026 është marrë pas kontrolleve të […]

Madhësia e shkronjave

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e importit të produkteve ushqimore nga stabilimenti “AD Mlekarna Tetovo”, Maqedonia e Veriut, si dhe largimin e tij nga lista e stabilimenteve të aprovuara për import në Republikën e Kosovës.

AUV njofton se vendimi i datës 6 nëntor 2026 është marrë pas kontrolleve të vazhdueshme zyrtare dhe analizave laboratorike që kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur praninë e bakterit Escherichia coli (E. coli) në produktet e këtij stabilimenti, me rezultate mikrobiologjike të klasifikuara si të pakënaqshme.

“Gjatë periudhës prill–tetor 2026, AUV ka raportuar 11 testime me rezultate mikrobiologjike të pakënaqshme. Analizat janë kryer nga laboratorët e AUV-së, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe laboratori Food Lab në Maqedoninë e Veriut. Produktet e testuara përfshijnë krem të bardhë, produkte të tipit urda dhe përgatitje ushqimore me yndyrë bimore, përfshirë produktet Natura Sharplaninska, Olios dhe Bianco Vacuum.

Produktet e këtij stabilimenti janë importuar në Kosovë përmes operatorëve ekonomikë Vizioni M.Z.I, Dauti Komerc dhe Delfini L.T.D, të identifikuar në dokumentacionin e kontrolleve zyrtare. Të gjitha dërgesat për të cilat kontrollet dhe analizat laboratorike kanë konstatuar rezultate të pakënaqshme janë refuzuar në pikat e kontrollit kufitar dhe nuk janë lejuar të vendosen në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

AUV njofton se në industrinë ushqimore, E. coli përdoret si tregues i rëndësishëm i higjienës së prodhimit dhe se prania e tij mbi kriteret mikrobiologjike të zbatueshme mund të tregojë mangësi në trajtimin e lëndës së parë, higjienën e pajisjeve, përpunimin ose kushtet sanitare të prodhimit.

“Largimi i AD Mlekarna Tetovo nga lista e stabilimenteve të aprovuara nënkupton se produktet e prodhuara nga ky stabiliment nuk mund të importohen më ligjërisht në Republikën e Kosovës për sa kohë që vendimi mbetet në fuqi. Kjo masë nuk kufizohet vetëm në produktet apo lotet ku janë konstatuar mospërputhje, por zbatohet ndaj të gjithë stabilimentit prodhues, pavarësisht se cili operator ekonomik kërkon t’i importojë produktet e tij.

Për konsumatorët e Kosovës, kjo përbën një masë parandaluese shtesë, e cila synon të ndalojë hyrjen e produkteve nga një stabiliment që ka shfaqur probleme të përsëritura mikrobiologjike, deri në plotësimin dhe verifikimin e kërkesave ligjore për sigurinë ushqimore”, thuhet në njoftim.

AUV njofton se do të vazhdojë me kontrolle dhe analiza shtesë laboratorike, si dhe me verifikimin e gjurmueshmërisë së produkteve të këtij stabilimenti, për të përcaktuar nëse produkte të importuara më parë vazhdojnë të gjenden në depot e operatorëve, në rrjetin e shpërndarjes apo në pikat e shitjes në Kosovë. Kontrollet do të përfshijnë identifikimin e loteve, sasitë e importuara dhe të shpërndara, dokumentacionin e furnizimit, datat e prodhimit dhe skadencës, gjendjen e stoqeve dhe marrjen e mostrave për analiza shtesë.

“Në rast të konstatimit të produkteve që nuk përmbushin kërkesat e sigurisë ushqimore, AUV do të ndërmarrë masat përkatëse ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit, tërheqjen nga tregu, njoftimin e konsumatorëve dhe, sipas rastit, kthimin ose asgjësimin e produkteve.

Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim dhe kërkesave për higjienën dhe kriteret mikrobiologjike të produkteve ushqimore. Për ndalimin e importit dhe largimin e stabilimentit nga lista e subjekteve të aprovuara është njoftuar zyrtarisht edhe autoriteti kompetent i Maqedonisë së Veriut”, thuhet tutje.

Më tej bëhet e ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet e intensifikuara në kufi dhe në tregun e brendshëm, për të garantuar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore nga të gjithë operatorët, vendorë dhe të huaj.

“Mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbetet prioritet dhe asnjë produkt që nuk përmbush kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore nuk do të lejohet të hyjë apo të mbetet në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Komentet