E djathta evropiane në telashe –  duhet të kthejë qindra mija euro shkaku i keqpërdorimeve

Bota

Parlamenti Evropian ka vendosur që grupi i së djathtës ekstreme “Patriots for Europe” të kthejë 276.967 euro fonde të Bashkimit Evropian, për të cilat pretendohet se janë keqpërdorur gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024. Sipas një auditimi të departamentit financiar të Parlamentit Evropian, grupi ka kryer donacione të parregullta, ka shkelur rregullat e prokurimit […]

Madhësia e shkronjave

Parlamenti Evropian ka vendosur që grupi i së djathtës ekstreme “Patriots for Europe” të kthejë 276.967 euro fonde të Bashkimit Evropian, për të cilat pretendohet se janë keqpërdorur gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024.

Sipas një auditimi të departamentit financiar të Parlamentit Evropian, grupi ka kryer donacione të parregullta, ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe ka dhënë kontrata përmes procedurave jo të rregullta.

Një pjesë e kontratave për shërbime iu dha kompanive të lidhura ngushtë me partinë franceze të ekstremit të djathtë Rassemblement National.

Në grupin “Patriots for Europe” bëjnë pjesë parti të njohura të djathta evropiane, përfshirë Fidesz, Vox, FPÖ, Vlaams Belang dhe ANO 2011, raporton politico.

Hetimi pasoi zbulimin se grupi tashmë i shpërbërë Identity and Democracy (ID) kishte shpenzuar në mënyrë të parregullt rreth 4,3 milionë euro ndërmjet viteve 2019 dhe 2024. Pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024, shumë anëtarë dhe staf i këtij grupi u transferuan në Patriots for Europe.

Raporti thekson se mbi 54 mijë euro janë dhënë për organizata lokale dhe rajonale, gjë që bie ndesh me rregullat e Parlamentit Evropian, sipas të cilave fondet duhet të përdoren për aktivitete politike në nivel të BE-së. Po ashtu, u konstatuan parregullsi në tre tenderë publikë me vlerë rreth 197 mijë euro.

Administrata e Parlamentit Evropian kërkon që shuma e kontestuar të kompensohet nga buxheti i Patriots for Europe për vitin 2025. Megjithatë, grupi kundërshton përgjegjësinë për shpenzimet e mëparshme të Identity and Democracy dhe ka paralajmëruar mundësinë e një beteje gjyqësore. /Telegrafi/