Von der Leyen nis nga Tirana turneun në Ballkanin Perëndimor, të enjten viziton Kosovën – pse Serbia dhe Bosnja e Hercegovina mbetën jashtë agjendës?

Nacionale

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot në Tiranë turneun e saj të gjashtë vjetor në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Telegrafi. Sipas agjendës zyrtare vizita do të përqendrohet në hapat që duhet të ndërmarrin vendet partnere për të […]

Madhësia e shkronjave

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot në Tiranë turneun e saj të gjashtë vjetor në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Telegrafi.

Sipas agjendës zyrtare vizita do të përqendrohet në hapat që duhet të ndërmarrin vendet partnere për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e integrimit gradual. Ky proces mbështetet edhe nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh.

Von der Leyen do ta nisë turneun në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama, transmeton Telegrafi.

Sipas agjendës të enjten, më 1 tetor, ajo do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Po atë ditë, presidentja e Komisionit Evropian do të vazhdojë vizitën në Podgoricë, ku do të pritet nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe kryeministri Milojko Spajiq.

Turneu do të përfundojë të premten, më 2 tetor, në Shkup. Atje, Von der Leyen do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Gjatë qëndrimit në rajon, Von der Leyen do të vizitojë edhe disa projekte të financuara nga Bashkimi Evropian. Në mesin e tyre janë shkolla “Emin Duraku” në Tiranë, e rindërtuar pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, objekti i ri i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës në Prishtinë, si dhe Korridori VIII hekurudhor në Maqedoninë e Veriut.

Në Podgoricë, ajo do të marrë pjesë në përurimin e Qendrës Kombëtare të Koordinimit. Qendra e re operacionale synon të forcojë menaxhimin e kufijve të Malit të Zi dhe të mundësojë shkëmbim më të mirë të informatave me vendet anëtare të BE-së dhe Frontex-in.

Gjatë turneut janë paraparë edhe konferenca për media, të cilat do të transmetohen në platformën audiovizuale të Komisionit Evropian.

Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina jashtë itinerarit

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Von der Leyen nuk do ta vizitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Komisioni Evropian ka deklaruar se vizitat janë shtyrë për shkak të zgjedhjeve të afërta në të dyja vendet. Bosnjë-Hercegovina do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 4 tetor, ndërsa në Serbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për 25 tetor.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, kohë më parë ka sqaruar se BE-ja shmang vizitat e tilla gjatë fushatave, në mënyrë që të mos perceptohet si pjesë ose si ndikuese në proceset zgjedhore. Sipas saj, Von der Leyen synon t’i vizitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën pas përfundimit të zgjedhjeve. Kjo thuhet edhe në agjendën zyrtare.

Në anën tjetër sipas mediave në rajon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, megjithatë, e ka cilësuar shpjegimin e Brukselit si një “justifikim elegant” për mospërfshirjen e Beogradit në turne.

Vendimi vjen në një periudhë tensionesh të shtuara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, pas ceremonive të organizuara në Beograd për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së serbëve të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Trupi i Mlladiqit ishte kthyer në Serbi me avion qeveritar, ndërsa në ceremoninë e varrimit morën pjesë zyrtarë shtetërorë dhe u zhvilluan nderime ushtarake.

Pas këtyre zhvillimeve, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke vlerësuar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte bie ndesh me vlerat evropiane dhe përpjekjet për pajtim në rajon.

Edhe Von der Leyen reagoi ndaj ceremonisë, duke thënë se ishte tronditur nga pamjet e varrimit. Ajo theksoi se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian këmbëngul se zgjedhjet janë arsyeja zyrtare për shtyrjen e vizitave. Megjithatë, mospërfshirja e Serbisë në itinerar është interpretuar edhe në kontekstin e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Brukselit dhe Beogradit pas nderimeve të organizuara për Mlladiqin.

Von der Leyen ka përsëritur gjatë këtij viti se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe se Unioni nuk do të jetë i plotë pa vendet e rajonit. Megjithatë, ajo ka theksuar se procesi i zgjerimit do të vazhdojë të mbështetet në përmbushjen e kritereve të përcaktuara./Telegrafi/.