Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, ku deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka nxitur reagime pas një deklarate të tij lidhur me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe vendimet gjyqësore në vend.
Geci, duke folur gjatë seancës parlamentare që po vazhdon, fillimisht ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dënimin e Naim Murselit. Më pas, ai është përgjigjur ndaj deklarimeve të deputetit të PDK-së, Arian Tahiri, duke e lidhur debatin me çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

“Dua të përshëndes vendimin e gjykatës për dënimin e Naim Murselit dhe ju që shpresoni që lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, u shpreh Geci në Kuvend.
Kjo deklaratë është pasuar menjëherë me reagim nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila i ka tërhequr vërejtjen deputetit për gjuhën e përdorur në sallë.
Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës, duke kërkuar distancim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“S’po di qysh me të thanë se me të thanë deputet, nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës vjen një lutje në vend të urimit për burgim të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi. Duhet të ju vijë turp”, ka deklaruar Çitaku.
Debati ka ndodhur në një seancë ku tema e rendit të ditës ishte energjia, por diskutimet janë devijuar në çështje politike dhe të së kaluarës së luftës.
Deputeti Geci ka qenë edhe më herët në qendër të kritikave për qëndrimet e tij ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mospërkrahjen e rezolutës për mbrojtjen e saj në Kuvend./Telegrafi.





