Kandidati për deputet i Aleancës, Daut Haradinaj, ka njoftuar se nuk do ta ushtrojë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, duke vendosur t’i hapë rrugë kandidatëve të tjerë nga lista e partisë.
Në një deklaratë publike drejtuar bashkëluftëtarëve dhe mbështetësve të tij, Haradinaj ka thënë se vendimi i tij është marrë në frymë të kontributit dhe përkushtimit ndaj subjektit politik dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Fjalën e dhënë e mbajta dhe gjithmonë do të jem krah jush! E kam pasur obligim moral që këtë betejë t’ia dhuroj shpërblimin Ardian Gjinit,” ka deklaruar ai.
Haradinaj ka shtuar se ndihet i përmbushur dhe falënderues ndaj votuesve që i kanë dhënë besimin, por theksoi se mandati nuk është qëllimi i tij kryesor.
“Jam dhe do të jem gjithmonë Aleancë, por mandatin si deputet kësaj radhe e lë për t’ju lëshuar vend të tjerëve në listën tonë fantastike,” ka thënë ai, duke uruar edhe Ardian Gjinin për angazhimin e tij politik.
Ai ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj partisë dhe mbështetësve të saj, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e angazhimeve politike dhe publike në të ardhmen.
Vendimi i Haradinajt pritet të ndikojë në renditjen përfundimtare të mandateve brenda listës së AAK-së në Kuvendin e Kosovës.





