Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur gjerësisht me nofkën Cllevio, ka paralajmëruar një tërheqje të mundshme përfundimtare nga rrjetet sociale dhe jeta publike.
Përmes një postimi të publikuar në Instagram, reperi ka bërë të ditur se do të zhvillojë transmetimin e tij të fundit “live”, në të cilin pritet të flasë dhe të përmbledhë ngjarjet e fundit, përpara se të mbyllë ose të fshijë llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Cllevio ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një vendim personal, duke shprehur dëshirën për t’u distancuar jo vetëm nga rrjetet sociale, por edhe nga rrethi i tij shoqëror.

“Do të arratisem pa adresë, do të ndërroj numrin dhe nuk dua asnjë më në shoqërinë time. Dua të distancohem nga të gjithë se ndoshta jam unë e keqja”, ka shkruar ai.
Në të njëjtin mesazh, reperi ka falënderuar miqtë dhe personat që e kanë mbështetur ndër vite, ndërsa nuk ka dhënë një afat konkret se sa do të zgjasë kjo shkëputje nga jeta publike.
Vendimi vjen pak ditë pas një situate të raportuar nga vetë Cllevio gjatë udhëtimit të tij në Itali. Javën e kaluar, ai publikoi disa imazhe përmes të cilave tregoi se ishte ndaluar nga autoritetet në aeroportin e Malpensës, në Milano.
Reperi kishte ndarë me ndjekësit edhe një fotografi nga dhoma e shoqërimit, ndërsa në atë kohë nuk kishte dhënë shumë detaje rreth situatës.
Deri më tani, Cllevio nuk ka specifikuar nëse kjo ngjarje ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij për t’u tërhequr nga rrjetet sociale dhe jeta publike.
Megjithatë, me paralajmërimin e tij të fundit, mbetet për t’u parë nëse transmetimi “live” do të jetë vërtet paraqitja e fundit e reperit në rrjetet sociale apo nëse kjo shkëputje do të jetë vetëm e përkohshme. /Telegrafi/





