Shëndeti i syve është një nga aspektet më të rëndësishme të mirëqenies, ndërsa sëmundjet e retinës dhe trupit qelqor kërkojnë diagnostikim të hershëm dhe trajtim të specializuar.
Për këto tema ka folur Muhamet Zekolli, kirurg vitreoretinal, në episodin e 86-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit “Kubati” dhe United Hospital.
Në këtë episod, Zekolli foli për rolin e retinës, sëmundjet që mund ta dëmtojnë shikimin, retinopatinë diabetike, shkëputjen e retinës, rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe trajtimet moderne që mund të parandalojnë humbjen e shikimit.
Duke shpjeguar rëndësinë e retinës, Zekolli tha se ajo është pjesa e pasme dhe e brendshme e syrit dhe, sipas tij, mund të konsiderohet pjesa më e rëndësishme e tij.

“Retina është pjesa e pasme dhe e brendshme e syrit. Sa i përket rëndësisë, mund të them se është pjesa më e rëndësishme e syrit”, u shpreh ai.
Ai shpjegoi se drita kalon nëpër strukturat e syrit dhe bie në retinë, ku shndërrohet në impuls nervor. Ky impuls më pas dërgohet përmes nervit optik në tru, ku kthehet në imazh.
“Retina është ajo që e përgatit dhe e dërgon sinjalin tek truri për t’u shndërruar në një imazh”, tha Zekolli.
Sipas tij, retina ka qeliza të ndryshme, ndërsa dy nga më kryesoret janë qelizat kone dhe qelizat shkop. Qelizat kone janë përgjegjëse për shikimin e detajuar, ndërsa qelizat shkop ndihmojnë më shumë në shikimin natën dhe orientimin periferik.
Një nga mesazhet më të rëndësishme të këtij episodi ishte se qelizat e retinës nuk rigjenerohen.
Për këtë arsye, Zekolli theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të patologjive të retinës.
Zekolli tregoi se shumë sëmundje sistemike mund të ndikojnë në sy, përfshirë sëmundjet neurologjike, kardiovaskulare, endokrine, infektive dhe autoimune. Një nga sëmundjet më të rëndësishme në këtë drejtim është diabeti.
“Sëmundjet neurologjike ndikojnë tek syri, sëmundjet kardiovaskulare ndikojnë tek syri, sëmundjet endokrine, në këtë rast diabeti, ndikojnë tek syri”, tha ai.
I pyetur për shenjat e para që duhet ta shqetësojnë një pacient, Zekolli përmendi pikat e zeza, shkëndijat në fushën e shikimit dhe paraqitjen e hijes në periferi të shikimit.
“Shenjat e para dhe më të shpeshta që i hasim te sëmundjet e retinës janë ato që njihen si pika të zeza”, tha ai.
Sipas tij, nëse këto shenja shfaqen në njërin sy dhe shoqërohen me një hije që vjen nga pjesa periferike e shikimit, ato nuk duhet të neglizhohen.
Në podcast u fol edhe për shenja të tjera alarmuese, si humbja e menjëhershme e shikimit në njërin sy, që mund të lidhet me gjakderdhje brenda syrit, trombozë apo probleme të nervit optik.
“Humbja e menjëhershme e shikimit në njërin sy mund të lidhet me një gjakderdhje brenda syrit, mund të lidhet me një trombozë që mund të shfaqet brenda syrit”, tha ai.
Një tjetër shenjë që nuk duhet injoruar është devijimi i vijave të drejta. Dr. Zekolli solli shembullin kur pacienti e sheh kornizën e derës të shtrembëruar, gjë që shpesh lidhet me sëmundje të regjionit makular.
“Pacienti ankohet dhe thotë: kur e shikoj derën, pjesën e kornizës nuk e shoh të drejtë”, shpjegoi ai.
Sipas tij, një nga patologjitë më të shpeshta të retinës në Kosovë është retinopatia diabetike.
“Definitivisht retinopatia diabetike”, tha Dr. Zekolli, duke iu përgjigjur pyetjes se cila është sëmundja më e shpeshtë e retinës në vend.
Ai theksoi se diabeti është në rritje në nivel global dhe se dëmtimet në retinë nga diabeti shpesh mund të zhvillohen për vite pa simptoma të dukshme.
“Jo gjithmonë sëmundjet e retinës japin simptomatologji të bujshme”, tha ai.
Sipas Zekollit, dëmtimet nga retinopatia diabetike mund të ndodhin vazhdimisht dhe simptomat të shfaqen shumë vonë, ndonjëherë edhe pas shumë vitesh.
Në lidhje me kontrollet e rregullta, ai tha se për personat pa probleme është e mjaftueshme një kontrollë e syve një herë në dy vite. Megjithatë, te pacientët me diabet, kontrollat duhet të jenë më të shpeshta.
“Është e mjaftueshme një herë në dy vite të bëhet një ekzaminim i syve”, tha ai.
Për personat me diabet, Zekolli tha se nëse nuk kanë shenja të retinopatisë diabetike, kontrollat duhet të bëhen një herë në vit, ndërsa nëse shfaqen ndryshime në retinë, ritmi i kontrollave përcaktohet nga mjeku.
“Te një diabetik, derisa nuk ka shenja të retinopatisë diabetike, kontrollat të bëhen një herë në vit”, theksoi ai.
Ai foli edhe për ndikimin e hipertensionit në shëndetin e retinës. Sipas tij, tensioni i lartë është një nga shkaqet që shpesh mund të sjellë probleme në retinë.
“Hipertensioni është një shkak që shpeshherë shkakton probleme tek retina”, tha Dr. Zekolli.
Ai shtoi se mbi 60 për qind e pacientëve që kanë trombozë të enëve të gjakut në retinë janë persona me hipertension.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/





