Gjashtë anëtarë të ekipit teknik të Ed Sheeran janë dërguar në spital pas një aksidenti që ndodhi gjatë çmontimit të skenës, pas koncertit të këngëtarit në Detroit.
Incidenti ndodhi të shtunën, më 29 gusht, në stadiumin Ford Field, ku një pjesë e pajisjeve të rënda të skenës ka rënë mbi disa punëtorë, raporton “People”.
Sipas regjistrimeve audio të shërbimit zjarrfikës, thirrja për ndihmë është bërë rreth orës 23:00, ndërsa në të është raportuar për një “aksident me pirun ngritës dhe persona të lënduar”.
Sipas raportimeve të “Click on Detroit”, pajisjet kanë goditur punëtorët pranë një rampe në tunelin për automjetet, teksa ata po shkonin për pushim.

Njëri prej punëtorëve, i cili u godit në pjesën e kraharorit, ka treguar se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash.
Të gjashtë punëtorët u transportuan në spitalet lokale. Sipas raportimeve, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, megjithëse dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda. Gjendja e katër të tjerëve është raportuar si stabile.
Njëri prej punëtorëve të lënduar ka treguar se e kaloi natën në spital, por u lirua të dielën, më 30 gusht.
Administrata e stadiumit Ford Field ka konfirmuar gjithashtu se në mesin e personave të lënduar ishte edhe një prej punonjësve të saj.
“Kemi nisur një hetim të detajuar dhe po bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse dhe partnerët e produksionit të eventit. Nga respekti për personat e përfshirë dhe për të ruajtur integritetin e hetimit, nuk do të spekulojmë mbi shkakun e aksidentit. Falënderojmë shërbimin zjarrfikës të Detroitit dhe ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë”, thuhet në deklaratën zyrtare të stadiumit.
Pavarësisht incidentit, aktivitetet e Ed Sheeran kanë vazhduar sipas planit.
Vetëm një mbrëmje pas koncertit në Detroit, këngëtari u shfaq si i ftuar surprizë në Kampionatin Botëror të Pokémon, në San Francisco.
Gjatë paraqitjes, Sheeran performoi këngën “Celestial” të vitit 2022, të cilën e kishte shkruar për videolojërat “Pokémon Scarlet & Violet”. Ai gjithashtu interpretoi në version akustik këngën hyrëse të serialit origjinal të animuar “Pokémon”.
Turneu i këngëtarit do të vazhdojë të premten, më 4 shtator, me një koncert në stadiumin MetLife në New Jersey. /Telegrafi/





