Gjërat më të bukura ndodhin kur i ndan me të tjerët, e sidomos kur njerëz që nuk i njeh arrijnë të ndajnë me ty përvoja, histori dhe momente të vogla që të bëjnë të ndihesh si në shtëpi.
Pikërisht kështu ishte edhe dita e sotme në Anibar, e mbushur me takime mes regjisorëve, animatorëve edhe filmdashësve.
Disa nga regjisorët, filmat e të cilëve u shfaqën mbrëmjen e djeshme, iu bashkuan bisedës për të ndarë procesin krijues pas veprave të tyre.
Nga ideja fillestare, ndërtimi i mjedisit dhe teksturave, e deri te realizimi final, të pranishmit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me procesin e animacionit, kësaj radhe nga një perspektivë më personale.

Reshat Canhasi, pjesëmarrës në Punëtorinë e Kritikës së Filmit, tha se: “Ishte shumë interesante t’i dëgjoje këto procese, nga ideja deri te mënyra se si janë realizuar filmat. Diçka që më tërhoqi veçanërisht vëmendjen ishte filmi Dream About Fish, i cili ndërton një metaforë mbi atë se çfarë do të thotë të jesh peshk, si një reflektim mbi rutinën e përditshme monotone që e kishte bërë regjisoren të mendonte se jeta si peshk do të ishte shumë më e lehtë”.
Ai shtoi se filmi pasqyronte një realitet emocional të animatores, ndërsa, megjithëse trajtonte një temë të dhimbshme, përdorimi i ngjyrave e bënte rrëfimin të dukej më i lehtë dhe më i butë për publikun.
Programi i VR vazhdon si sot të jetë i hapur për publikun në Galerinë e Arteve deri më 18 korrik,çdo ditë nga ora 11:00 deri në 16:00.
Edhe sot u mbajt programi Young Audience 2, ku fëmijët patën mundësinë të shijojnë filma të animuar.
Yll Avdiu, pjesë e jurisë së këtij viti, u shpreh: “Sot, në ditën e dytë të programit Young Audience, patëm kënaqësinë të mirëprisnim fëmijët e çerdhes Qershia, të cilët erdhën për të shijuar filmat e animuar.
Që nga momenti kur hynë në sallë, entuziazmi i tyre ishte i dukshëm.Të gjithë ishin të përqendruar te ekrani, të emocionuar, të lumtur dhe të përfshirë gjatë gjithë shfaqjes.
Të qeshurat, reagimet e sinqerta dhe kureshtja e tyre e bënë atmosferën edhe më të veçantë, ndërsa ne u gëzuam shumë që filmat u pëlqyen kaq shumë.
”Argëtimi nuk përfundoi me shfaqjet. Pas filmave, fëmijët vazhduan me një aktivitet krijues në punëtorinë Mixed Media, të udhëhequr nga Albana Hajdini dhe Leonita Thaqi. Aty ata krijuan maska dekorative, duke i mbushur me ngjyra, ide dhe imagjinatë. Secili i dha punimit të vet një prekje personale, duke e zbukuruar me shumë kujdes dhe kreativitet. Ishte kënaqësi të shihje angazhimin dhe krenarinë e tyre për krijimet që realizuan. Një ditë e mbushur me buzëqeshje, kreativitet, mësim dhe kujtime që do të mbeten gjatë. Duke vazhduar me aktivitete plot energji, Etienne Kompis dhe Aline Schoch prezantuan punën e tyre në sesionin Arti i Dizajnit të Zërit në Animacion”.
Përmes shembujve nga filma të ndryshëm, ata treguan se si përdorimi i tepërt i muzikës mund të ndikojë në përjetimin e një filmi dhe sa e rëndësishme është fuqia shprehëse e heshtjes dhe elementeve të tjera zanore në animacion.
Programi AniDox 2 solli edhe sot pesë filma me tematika të forta dokumentare, që trajtojnëçështje sociale dhe aktuale.
Menjëherë pas tyre u hap edhe Gara e Filmit për të Drejtat e Njeriut, e cila prezantoi dymbëdhjetë filma që prekin tema universale dhe thellësisht njerëzore.
Përmes rrëfimeve për emigrimin, varfërinë, humbjen e njerëzve të dashur dhe shtypjen e praktikave fetare, programi ftoi publikun të reflektojë mbi sfidat me të cilat përballen njerëzit në mbarë botën.
Në vazhdën e aktiviteteve të ditës, paneli “Kultura nën punime: Ndërtimi i një ekosistemi kulturor më të drejtë”, i moderuar nga Ares Shporta, solli një diskutim ndryshe në kuadër të festivalit.
Me pjesëmarrjen e Nora Arapi Krasniqit, zëvendësministre e Kulturës, Edona Krasniqit, drejtoreshë për grant dhënie në KCSF, dhe Rozafa Maliqit, drejtoreshë e Kino Armata, paneli u ndal te kultura e pavarur në Kosovë dhe mekanizmat që ndikojnë në zhvillimin dhe mirëqenien e këtij sektori, duke diskutuar sfidat dhe mundësitë për ndërtimin e një ekosistemi kulturor më të drejtë.
Edhe sot, tri kinematë tona të dashura sollën filma me tematika të rëndësishme që pasqyrojnë realitetin e botës së sotme.
Në Kino Çarshia, programi Beirut Animation Nights prezantoi dhjetë filma të animuar libanezë, të cilët rrëfyen histori për jetën, shtëpinë, ëndrrat dhe vizionet që mund të shndërrohen në rrënoja brenda një nate.
Në Kino Liqeni u shfaq programi Gara eStudentëve 2, me praninë e shumë animatorëve që prezantuan punën e tyre dhe ndanë përvojat me publikun.
Ndërsa mbrëmja u përmbyll në Kino Kubat, me një përzgjedhje të larmishme filmash, ku tre prej tyre publiku pati mundësinë t’i shihte edhe gjatë ceremonisë hapëse të Anibar 17.
Këto aktivitete, së bashku me shumë ngjarje të tjera interesante, vazhdojnë në Pejë deri më 18 korrik.
Ejani dhe përjetoni nga afër atmosferën, energjinë dhe komunitetin që e bëjnë Anibarin një përvojë të veçantë.





