Çështja e presidentit, Mushkolaj: Papërgjegjësi e klasës politike – LVV mban fajin kryesor për krizën

Nacionale

Kosova mund të përballet me një situatë të tjetër të ngërçit politik për shkak të moszgjidhjes së presidentit dhe mungesës së kompromisit mes partive, ndërsa rreziku për zgjedhje të reja dhe krizë të thelluar institucionale mbetet real. Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj e cilëson këtë situatë si pasojë direkte të dështimit të klasës […]

Madhësia e shkronjave

Kosova mund të përballet me një situatë të tjetër të ngërçit politik për shkak të moszgjidhjes së presidentit dhe mungesës së kompromisit mes partive, ndërsa rreziku për zgjedhje të reja dhe krizë të thelluar institucionale mbetet real.

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj e cilëson këtë situatë si pasojë direkte të dështimit të klasës politike për të marrë përgjegjësi dhe për të arritur marrëveshje.

“Duhet të pajtohemi që kjo është një papërgjegjësi ekstreme e klasës politike… kanë arritë që ta sjellin vendin në një situatë kur tash e gati katër muaj pas zgjedhjeve nuk arrijnë ta zgjedhin një president,” theksoi Mushkolaj gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ai shton se mungesa e një zgjidhjeje nuk lidhet me pamundësinë për kompromis, por me interesat politike dhe personale të partive.

“Ma shumë se sa përpjekje për me arritë zgjidhje, ka përpjekje për me e fajësu tjetrin,” u shpreh ai.

Sipas Mushkolajt, skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk do të sillte ndonjë ndryshim thelbësor dhe rrezikon ta thellojë krizën.

“Unë nuk mendoj që zgjedhjet e reja do të prodhojnë një rezultat shumë më ndryshe… atëherë mund të futemi në një krizë të re. Pra, cikli i krizave nuk po përfundon,” tha ai shkruan Telegrafi.

Ai thekson se vendi po kalon nga një krizë në tjetrën, pa arritur të ndërtojë stabilitet institucional.

Mushkolaj vlerëson se përgjegjësia kryesore për situatën aktuale i takon partisë në pushtet, për shkak të peshës që ka në Kuvend.

“Përgjegjësia më e madhe dhe kryesore për krizën është e Vetëvendosjes… nga një parti që ka fitu mbi 50 për qind të votave pritet që me gjetë zgjidhje dhe me ba kompromis,” deklaroi ai.

Sipas tij, mungesa e gatishmërisë për kompromis është një nga problemet kryesore që po e bllokon procesin.

“Z. Kurti nuk është prej atyne që bën kompromis… dëshiron t’i ketë të gjitha për vete dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme,” u shpreh Mushkolaj.

Në anën tjetër, ai kritikon edhe opozitën për mungesë unifikimi dhe për mos bashkim të alternativave konkrete.

“Nuk është aq e lehtë që opozita të bëhet bashkë… por askush nuk i ndalon që të prezantojnë kandidatë. Nuk e dimë cili është kandidati i tyre,” tha Mushkolaj.

Ai shton se mungesa e transparencës dhe propozimeve konkrete e ka komplikuar edhe më shumë situatën politike.

Presidenti nuk duhet të jetë “kukull politike”

Duke folur për rolin e presidentit, Mushkolaj theksoi se posti nuk duhet të kontrollohet nga pushteti.

“Nuk na duhet një president kukull politike… na duhet një person me integritet që e kryen detyrën sipas Kushtetutës,” deklaroi ai.

Ai ngriti shqetësim edhe për zhvillimet në institucionet e pavarura si RTK dhe KPM, duke paralajmëruar për ndikim politik.

“Kjo është një përpjekje për me shtri ndikim në këto institucione që do të duhej të ishin të pavarura… kjo është jashtëzakonisht problematike,” tha Mushkolaj.

Në fund, Mushkolaj paralajmëron se kriza e brendshme po ndodh në një moment të ndjeshëm ndërkombëtar, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për Kosovën.

“Ne nuk jemi duke jetuar në një situatë normale… dhe ky anormalitet nuk duhet mu përkthy në anormalitet të veprimeve politike,” përfundoi ai./Telegrafi/.