BeerFest Kosova ka njoftuar se edicioni i sivjetmë i festivalit, i paraparë të mbahej më 2, 3 dhe 4 tetor 2026, nuk do të zhvillohet. Vendimi për anulimin e ngjarjes është bërë i ditur nga organizatorët përmes një njoftimi publik, pas vlerësimit të rrethanave aktuale dhe atmosferës së krijuar në vend.
Përmes një njoftimi drejtuar publikut, organizatorët kanë bërë të ditur se vendimi është marrë pas vlerësimit të rrethanave aktuale dhe atmosferës së krijuar në vend pas zhvillimeve të fundit që lidhen me procesin në Hagë.
”Pas një vlerësimi të kujdesshëm të rrethanave aktuale dhe atmosferës së krijuar në vend pas zhvillimeve të fundit lidhur me procesin në Hagë, kemi marrë vendimin që BeerFest Kosova, i planifikuar të mbahej më 2, 3 dhe 4 tetor 2026, të mos mbahet këtë vit”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, BeerFest Kosova është konceptuar gjithmonë si një festival i muzikës, miqësisë dhe argëtimit. Megjithatë, ata kanë vlerësuar se rrethanat aktuale nuk krijojnë atmosferën e përshtatshme për zhvillimin e një ngjarjeje me karakter festiv.
Organizatorët kanë theksuar se vendimi nuk ka qenë i lehtë, duke marrë parasysh përgatitjet dhe punën e bërë gjatë muajve të fundit, por se në këtë moment e konsiderojnë atë si vendimin e duhur.
”Ky vendim nuk ka qenë i lehtë, sidomos pas gjithë punës dhe përgatitjeve të bëra gjatë muajve të fundit, por besojmë se është vendimi i duhur dhe i përgjegjshëm në këtë moment”, theksojnë organizatorët.
BeerFest Kosova ka falënderuar publikun, partnerët, sponsorët, kompanitë pjesëmarrëse, artistët dhe bashkëpunëtorët për mirëkuptimin dhe mbështetjen.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se festivali synon të rikthehet në një periudhë tjetër, kur kushtet dhe atmosfera të jenë më të përshtatshme për organizimin e tij.
Sa u përket personave që kanë blerë bileta paraprakisht, BeerFest Kosova ka njoftuar se informacionet lidhur me procedurat përkatëse do të publikohen gjatë ditëve në vijim.






