Barcelona e prerë me Robert Lewandowskin: Rinovo me kushtet tona ose largohu

Sport

Barcelona ka marrë një vendim të qartë dhe të fortë për të ardhmen e Robert Lewandowski, duke sinjalizuar nisjen e një faze të re në projektin sportiv të klubit katalunas. Sipas raportimeve nga “MARCA”, drejtuesit e Barcelonës i kanë komunikuar përfaqësuesve të sulmuesit polak kushte shumë të prerë: nëse dëshiron të vazhdojë në “Camp Nou”, […]

Madhësia e shkronjave

Barcelona ka marrë një vendim të qartë dhe të fortë për të ardhmen e Robert Lewandowski, duke sinjalizuar nisjen e një faze të re në projektin sportiv të klubit katalunas.

Sipas raportimeve nga “MARCA”, drejtuesit e Barcelonës i kanë komunikuar përfaqësuesve të sulmuesit polak kushte shumë të prerë: nëse dëshiron të vazhdojë në “Camp Nou”, ai duhet të pranojë një ulje rroge prej 50%.

Ky vendim lidhet drejtpërdrejt me situatën financiare të klubit, pasi Barcelona synon të balancojë faturën e pagave dhe të krijojë hapësirë për investime në pozicione të tjera kyçe.

Por ndryshimi nuk është vetëm ekonomik. Në aspektin sportiv, roli i Robert Lewandowski pritet të transformohet ndjeshëm. Ai nuk do të jetë më titullar i padiskutueshëm në sulm, pasi klubi po planifikon afrimin e një sulmuesi të ri që do të marrë rolin kryesor në repartin ofensiv.

Kjo do ta shtynte polakun drejt një roli dytësor – një ndryshim i madh për një lojtar që për vite me radhë ka qenë pikë referimi në sulm, si te Barcelona, ashtu edhe në klubet e mëparshme.

Megjithatë, brenda klubit ekziston bindja se përvoja dhe ndikimi i tij në dhomat e zhveshjes mbeten të vlefshme. Ideja është ndërtimi i një skuadre më dinamike dhe më të përshtatur me kërkesat aktuale të futbollit modern, pa u varur ekskluzivisht nga një lojtar.

Tani gjithçka varet nga vetë Robert Lewandowski. Ai duhet të vendosë nëse do të pranojë kushtet e reja – si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë sportiv – apo do të eksplorojë opsione të tjera në tregun e transferimeve.

Raporti shton se lojtari po e analizon situatën me qetësi, ndërsa nuk mungojnë alternativat e mundshme nëse ai vendos të largohet nga Barcelona.

Rasti i tij është një nga më delikatët për klubin, duke marrë parasysh peshën që ka pasur në ekip si në gola ashtu edhe në lidership. Vendimi që do të merret në javët në vijim pritet të ketë ndikim të madh në drejtimin që do të marrë projekti i ri i Barcelonës./Telegrafi/

Si e vlerësoni këtë lajm?