Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut janë arrestuar ose proceduar 29 persona të dyshuar për zjarrvënie.
Vetëm në 24 orët e fundit, policia arrestoi dy persona në Kavajë dhe Vorë, ndërsa një tjetër u procedua penalisht në Mallakastër për tre raste të ndryshme zjarresh.
Në Kavajë, flakët dogjën kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh e ullinjsh, ndërsa në Vorë u dëmtua një sipërfaqe toke me dru frutorë. Në Mallakastër, një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike gjatë tërheqjes së një automjeti dogji dhjetëra pemë arre.

Policia u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave të mos ndezin zjarre dhe të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.
29 autorë të zjarrvënieve të arrestuar/ proceduar në qershor dhe në dy javët e para të korrikut.
Vijojnë masat në terren dhe hetimet për parandalimin e zjarrvënieve, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që ndezin apo tentojnë të ndezin zjarre, duke dëmtuar sipërfaqe toke, bimësinë, pemëtarinë, pronën, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë 2 shtetas, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 1 tjetër, të dyshuar si autorë të 3 zjarrvënieve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të muajit korrik 2026, janë arrestuar/ proceduar 29 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe veprimeve operacionale të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në qarqe, me objektiv vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, u identifikuan 3 autorë të dyshuar në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi, si pasojë e zjarrit që ndezi në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, u dëmtuan kullota në këtë fshat dhe 300 pemë (agrumesh dhe ullinjsh).





