Anibar hap edicionin e 17-të me filma, kujtime dhe fillime të reja

Magazina

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, Anibar filloi si një ëndërr. Sot, në Edicionin e shtatëmbëdhjetë, kjo ëndërr vazhdon të rritet, duke bashkuar mijëra njerëz përmes animacionit, kinemasë, kreativitetit dhe komunitetit. Për 17 vjet, festivali ka krijuar një hapësirë ku ndahen histori, krijohen miqësi dhe të gjithë janë të mirëpritur. Edicioni i 17-të i Anibar u hap […]

Madhësia e shkronjave

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, Anibar filloi si një ëndërr.

Sot, në Edicionin e shtatëmbëdhjetë, kjo ëndërr vazhdon të rritet, duke bashkuar mijëra njerëz përmes animacionit, kinemasë, kreativitetit dhe komunitetit.

Për 17 vjet, festivali ka krijuar një hapësirë ku ndahen histori, krijohen miqësi dhe të gjithë janë të mirëpritur.

Edicioni i 17-të i Anibar u hap zyrtarisht me një mirëseardhje të ngrohtë nga Hana Blakqori, e cila përshëndeti publikun dhe shënoi fillimin e një jave tjetër të paharrueshme në Pejë.

Në ceremoninë e hapjes u shfaqën tre filma që përcaktuan frymën e festivalit për ditët në vijim. “Richard the Dream Cowboy”, e çoi publikun në një udhëtim me biçikletë të mbushur me liri, fantazi dhe dashuri.

“Please”, një komedi e errët që eksploron dëshirën njerëzore për të dashur dhe për t’u dashur, ofroi një vështrim intim dhe humoristik mbi romancën dhe cenueshmërinë.

Mbrëmja përfundoi me “Penguin”, një histori prekëse për një çift, marrëdhënia e të cilëve transformohet pasi njëri partner kthehet nga Antarktida me një dhuratë të papritur.

Për shumë, ceremonia e hapjes shkoi pertej fillimit të një festivali, duke ribashkuar një komunitet që vazhdon të frymëzojë vit pas viti.

Yll Avdiu, anëtar i Programit Genesis dhe i jurisë së këtij viti, ndau emocionet e tij:

“Ceremonia duket e mrekullueshme. Ky është viti im i katërt në Anibar dhe çdo vit gjithçka vazhdon të përmirësohet. Këtë vit jam pjesë e jurisë në Garën e Audiencave të Reja, dhe jam shumë i emocionuar të zbuloj filmat në kategorinë time, si dhe gjithçka tjetër që festivali ka për të ofruar.”

Artistja dhe anëtarja e Programit Genesis, Rina Lasku, reflektoi gjithashtu mbi lidhjen e saj me festivalin. Këtë vit ajo po kuron ekspozitën “Posterat për Palestinën” dhe vizatimet origjinale nga videoja zyrtare e festivalit Anibar.

“Me çdo festival ka një nostalgji për përvojat e mëparshme,” tha ajo. “Por në të njëjtën kohë, thjesht e di se do të jetë edhe më mirë çdo vit.”

Përderisa filmat për natën e parë po mbaronin, festimi vazhdoi nën muzikën nostalgjike të bendit Kosovar, Gillespie, që na bashkuan të gjithëve në pistën e vallëzimit nën tingujt e tyre dhe zërin unik të këngëtares së bendit, Blerta Zabërgja.

Uran Badivuku, i njohur si Uran B, e mbylli natën e parë duke miksuar setet elektronike që energjizuan publikun deri në orët e vona të natës.

Dita e parë ishte vetëm fillimi. Parku Karagaq i qytetit të Pejës u gjallërua edhe këtë verë nga Festivali Anibar.

Me shfaqje filmash, punëtori, ekspozita dhe biseda që presin të zhvillohen, edicioni i 17-të është gati ta mbushë qytetin me histori që do të mbeten simbolike në Pejë dhe në historinë kulturore të Kosovës, kohë pas përfundimit të festivalit. /Telegrafi/