Faton Ademi po përjeton një rritje të jashtëzakonshme në karrierë, teksa vetëm 20-vjeçari tashmë është kapiten i Kosovës U21 dhe po konsiderohet si një prej mesfushorëve me të ardhme të rëndësishme.
Ademi ka lënë gjurmë të forta edhe në grumbullimin e fundit të Kosovës U21, nën drejtimin e përzgjedhësit Hekuran Kryeziu. Mesfushori ishte ndër protagonistët kryesorë, duke shënuar tre gola dhe dhënë një asistim.
Një prej paraqitjeve të tij më të mira erdhi në ndeshjen ndaj Finlandës, e cila përfundoi me rezultatin 4-4.

Ademi shënoi një gol dhe ishte një prej lojtarëve më aktivë në mesfushën e Kosovës, duke spikatur me rikuperime të topit, driblime, duele dhe aksione të vazhdueshme.
Kjo paraqitje kishte një rëndësi të veçantë edhe për faktin se në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ishte përzgjedhësi i Kombëtares A, Franco Foda.
Forma e tij dhe paraqitjet e vazhdueshme kanë bërë që emri i Ademit të përmendet gjithnjë e më shumë si një kandidat për një të ardhme në ekipin senior të Kosovës, me ndeshjet e nëntorit që janë në ardhje.
Rritja e tij nuk është e kufizuar vetëm te përfaqësuesja. Këtë vit, Ademi bëri një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë, duke u larguar nga Alemannia Aachen dhe duke iu bashkuar Greuther Furth, që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Deri tani, 20-vjeçari ka zhvilluar tri ndeshje me klubin gjerman, ndërsa paraqitjet e tij janë vlerësuar edhe nga drejtuesit e Greuther Fürth, të cilët e shohin si një lojtar me potencial për të ardhmen.
Në total, Ademi ka zhvilluar 11 ndeshje me Kosovën U21 dhe ka shënuar tri gola, duke konfirmuar edhe me shifra progresin e tij.
Nga kapiteni i Kosovës U21 te një aventurë e re në Gjermani, Faton Ademi po hedh hapa të rëndësishëm në karrierë. Dhe me formën që po tregon, duket se vetëm 20-vjeçari ka nisur të trokasë seriozisht në derën e Kombëtares A. /Telegrafi/





