Dame Helen Mirren dëshmoi se mes kastit të serialit “MobLand” nuk ka asnjë përplasje, pasi u shfaq mjaft e afërt me Tom Hardy në premierën e sezonit të dytë në Londër, të enjten mbrëma.
Që nga sezoni i parë, duket se drama jashtë ekranit ka qenë më e madhe se ajo brenda serialit. Gjatë muajve të fundit janë raportuar tensione të mëdha mes Tom Hardy dhe produksionit gjatë xhirimeve, çka kishte sjellë edhe pretendime se aktori do të largohej nga seriali.
Vetëm disa ditë pasi aktorja 81-vjeçare foli për thashethemet rreth një përplasjeje në sheshxhirim me Hardy, 48 vjeç, të dy u shfaqën në tapetin e kuq në një atmosferë miqësore, duke pozuar së bashku për fotografët, shkruan DailyMail.
Raportimet për tensione të mëdha mes aktorit dhe produksionit gjatë realizimit të sezonit të dytë kishin çuar në pretendime se Hardy do të largohej nga seriali pas përfundimit të tij.

Megjithatë, më vonë u raportua se aktori dhe producentët Jez Butterworth e David Glasser po përpiqen të zgjidhin dallimet e tyre krijuese, me qëllim që xhirimet e sezonit të tretë të nisin sipas planifikimit.
Vetë Helen Mirren iu referua së fundmi këtyre spekulimeve për tensionet prapa kamerave, duke thënë se me kalimin e viteve ka mësuar se si të punojë me njerëz të ndryshëm.
Pas këtyre deklaratave, fituesja e “Oscar”-it u pa duke përqafuar kolegun e saj Tom Hardy, para se të bashkoheshin me Pierce Brosnan për fotografitë në premierë.
Mirren, e cila në serialin e Paramount+ luan rolin e Maeve Harrigan, u shfaq elegante me një fustan të argjendtë të mbuluar me temina, të dizajnuar nga Jenny Packham, me vlerë 4,470 funte.
Ndërsa Mirren ishte veshur në mënyrë elegante për premierën, Hardy zgjodhi një paraqitje më të relaksuar. Aktori nuk veshi kostum, por një këmishë të bardhë dhe pantallona nga marka Rogue & Sons, me vlerë 825 dollarë.
Këmisha e tij tërhoqi vëmendjen me një pikturë blu të “Kullës së Babelit”, vepër e artistit gjerman Wilhelm von Kaulbach.
Seriali kriminal i Guy Ritchie, i cili zhvillohet në Londër, rikthehet me sezonin e dytë, duke i rikthyer shikuesit në botën e familjes Harrigan dhe të “rregulluesit” të saj, Harry Da Souza, të luajtur nga Tom Hardy.
Pierce Brosnan, i cili luan bashkëshortin e Maeve, Conrad Harrigan, u shfaq elegant me një xhaketë me vija dhe këmishë bardhezi me pika.
Ndërkohë, Lara Pulver u dallua në tapetin e kuq me një fustan të verdhë pa rripa, të dizajnuar nga stilisti amerikan Prabal Gurung.
Ajo e kombinoi veshjen me vathë të gjatë ngjyrë argjendi dhe pozoi së bashku me Helen Mirren dhe kolegen Joanne Froggatt.
Emmett J. Scanlan, ndërkaq, vuri në pah fizikun e tij muskuloz, duke veshur një bluzë të zezë transparente nën një xhaketë të zezë.
Në premierë morën pjesë edhe figura të tjera të njohura, mes tyre Millie Mackintosh, Roxy Horner, Kimberley Garner dhe Nadiya Bychkova.
Kjo premierë shënon herën e parë që kastit kryesor të dramës kriminale iu dha mundësia të ribashkohej publikisht pas polemikave që rrethuan sjelljen e Tom Hardy gjatë xhirimeve.
Gjatë muajve të fundit, mediat kanë raportuar për fërkime prapa kamerave që përfshinin Hardy-n, ndërsa disa raportime pretendonin se kishte pasur mosmarrëveshje rreth drejtimit që duhej të merrte seriali.
Megjithatë, kolegia e tij, Helen Mirren, së fundmi doli në mbrojtje të aktorit, duke thënë se njerëzit duhet të jenë të lirë të gabojnë dhe të mësojnë nga gabimet e tyre.
Pavarësisht raportimeve për tensione të mëdha mes Hardy-t dhe produksionit, duket se aktori dhe producentët Jez Butterworth e David Glasser po punojnë për t’i kapërcyer dallimet e tyre krijuese, në mënyrë që të mund të vazhdojnë me përgatitjet për sezonin e tretë. /Telegrafi/





