Adelina Thaqi publikon fotografinë e babait të saj të ndjerë, Cimës me bluzën “Liria ka Emër” në ditën e Marshit për Liri

Magazina

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Adelina Thaqi Meta, ka publikuar një fotografi të babait të saj të ndjerë, humoristit të njohur Rasim Thaqi – Cima, duke rikujtuar mbështetjen e tij për platformën “Liria ka Emër”. Në fotografinë e publikuar në rrjetet sociale, Cima shihet i veshur me një bluzë me mbishkrimin “Liria ka Emër”, përmes së […]

Madhësia e shkronjave

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Adelina Thaqi Meta, ka publikuar një fotografi të babait të saj të ndjerë, humoristit të njohur Rasim Thaqi – Cima, duke rikujtuar mbështetjen e tij për platformën “Liria ka Emër”.

Në fotografinë e publikuar në rrjetet sociale, Cima shihet i veshur me një bluzë me mbishkrimin “Liria ka Emër”, përmes së cilës kishte shprehur mbështetjen për kauzën e kësaj platforme.

Adelina, e cila më parë ka qenë edhe deputete e LDK-së, e ka shoqëruar fotografinë me një mesazh kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së ish-pjesëtarëve të saj.

“UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Liria jonë mban edhe emrin e sakrificës së tyre. 🇽🇰”, ka shkruar ajo.

Postimi i saj vjen në ditën kur në Prishtinë po mbahet “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, me pjesëmarrjen e qytetarëve që kanë dalë për të shprehur mbështetjen për katër ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Marshi po zhvillohet në prag të përfundimit të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa vendimi përfundimtar është paraparë të shpallet më 16 shtator.

Përmes fotografisë së babait të saj, Adelina ka rikthyer në vëmendje edhe qëndrimin e tij publik në mbështetje të kësaj kauze. /Telegrafi/