Arsenali po shqyrton atë që mund të jetë një nga transferimet më sensacionale të viteve të fundit, por shanset për ta realizuar mbeten të vogla.
Gjatë fundjavës u raportua se “Topçinjtë” po analizojnë mundësinë e transferimit të superyllit të Real Madridit, Vinicius Junior, ndërsa në të njëjtën kohë “Los Blancos” po intensifikojnë përpjekjet për të siguruar talentin e RB Leipzig, Yan Diomande, i cili vlerësohet mbi 120 milionë euro.
Siç pritej, menjëherë kanë nisur spekulimet për mënyrën se si do të përshtatej Diomande në skuadrën madrilene. Koha e këtij operacioni ka ngritur dyshime se Real Madridi mund të jetë duke përgatitur terrenin për një largim të mundshëm të Viniciusit, ndërsa Arsenali po monitoron nga afër situatën e brazilianit, i cili ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës në “Santiago Bernabéu”.
Megjithatë, mbetet pyetja kryesore: a lidhen vërtet këto dy operacione? Pavarësisht se afati kalimtar veror është dominuar nga Kupa e Botës 2026, saga që përfshin dy nga anësorët më të kërkuar në botë ka potencialin të shndërrohet në një nga historitë më të mëdha të kësaj vere.
Kaluan më pak se 24 orë nga raportimet se Real Madridi ishte futur fuqishëm në garë për Yan Diomanden dhe lajmi se Arsenali po shqyrtonte mundësinë e transferimit të Vinicius Junior.
Klubi madrilen mori shpejt epërsinë ndaj rivalëve si Liverpooli dhe Paris Saint-Germain për talentin nga Bregu i Fildishtë, ndërsa PSG u tërhoq përfundimisht nga gara. Edhe pse një ofertë totale prej rreth 120 milionë eurosh pritet të refuzohet fillimisht nga Leipzig, besohet se marrëveshja mund të arrihet gjatë javëve në vijim.
Kjo e bën edhe më interesant interesimin e Arsenalit për Viniciusin. Sipas raportimeve, klubi londinez sheh një mundësi në treg, pasi braziliani ka hyrë në vitin e fundit të kontratës pa arritur marrëveshje për rinovim. Në Londër besohet se investimi i madh i Real Madridit për Diomanden mund të krijojë hapësirë për një shitje të Viniciusit.
Arsenali kërkon të përfitojë nga situata
Sipas The Athletic, interesimi i Arsenalit ndodhet ende në fazat fillestare. Në mediat spanjolle është përmendur një shifër prej 160 milionë eurosh si vlera e mundshme e transferimit, por ideja e klubit anglez është të përfitojë nga fakti se Vinicius mund të jetë i disponueshëm për një çmim më të ulët për shkak të situatës kontraktuale.
Real Madridi nuk dëshiron të rrezikojë ta humbasë lojtarin me parametra zero pas një viti, ndërsa negociatat për rinovimin kanë ngecur prej rreth 18 muajsh. Arsyeja kryesore është kërkesa e Viniciusit për një rritje page, edhe pse ai aktualisht përfiton rreth 400 mijë paund në javë. Sipas raportimeve, braziliani kërkon rreth 470 mijë paund në javë për të firmosur kontratën e re.
Në letër, kjo do ta bënte një transferim te Arsenali edhe më të vështirë, por raportohet se kampionët e Ligës Premier janë të gatshëm t’i plotësojnë këto kërkesa, duke i ofruar kontratën më të madhe në historinë e klubit.
Megjithatë, ekziston edhe mundësia që Vinicius dhe përfaqësuesit e tij ta përdorin interesimin e Arsenalit si mjet presioni në negociatat me Real Madridin. Mediat spanjolle raportojnë se braziliani nuk ka ndërmend të largohet nga “Santiago Bernabéu” dhe pritet të rikthehet në tryezën e bisedimeve pas pushimeve, ndërsa diferenca mes ofertës së klubit dhe kërkesave të tij nuk konsiderohet e pakapërcyeshme.
A po mendon Real Madridi edhe për uljen e kostove?
Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt. Nëse marrëveshja për rinovimin do të ishte kaq pranë, negociatat nuk do të kishin mbetur pezull për kaq gjatë. Vinicius aktualisht po shijon pushimet pas paraqitjeve me Brazilin në Kupën e Botës 2026 dhe bisedimet pritet të rifillojnë pas rikthimit të tij.
Nga ana tjetër, do të ishte e pazakontë që Real Madridi të investonte mbi 120 milionë euro për një anësor të ri, ndërkohë që Vinicius mbetet një nga lojtarët kryesorë të skuadrës. Një investim i tillë zakonisht bëhet për një futbollist që pritet të ketë rol qendror, jo për një rezervë.
Me negociatat e rinovimit ende në ngërç dhe me koston e lartë që do të sillte kontrata e re e Viniciusit, lind pyetja nëse transferimi i Diomandes mund të jetë pjesë e një strategjie afatgjatë për uljen e shpenzimeve. Nëse Reali do të vendoste ta shiste brazilianin, do të siguronte një shumë të madhe nga transferimi dhe njëkohësisht do ta zëvendësonte me një lojtar shumë më të ri, me potencial të jashtëzakonshëm dhe me kërkesa shumë më të ulëta financiare.
Real Madridi ka qenë mjaft i kujdesshëm në merkato vitet e fundit. Klubi nuk ka shpenzuar mbi 100 milionë euro për një lojtar që nga transferimi i Jude Bellingham nga Borussia Dortmund, ndërsa më pas ka preferuar lëvizje strategjike si afrimet pa kosto të Kylian Mbappé, Ibrahima Konaté dhe Bernardo Silva.
Për këtë arsye, do të ishte surprizë nëse klubi do të investonte mbi 120 milionë euro për Diomanden pa balancuar financat me një shitje të madhe. Sidomos kur në prapaskenë vazhdojnë të qarkullojnë raportime edhe për interesimin ndaj Rodrit të Manchester Cityt, një tjetër futbollist që do të kërkonte një kontratë me pagë shumë të lartë. /Telegrafi/






