Real Madridi ka triumfuar në El Clásicon ndaj Barcelonës, duke e mposhtur rivalin e përbetuar dhe duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për titullin e kampionit.
Përballja e zhvilluar në kuadër të javës së dhjetë të La Ligës dhuroi emocione, raste të shumta dhe një duel të fortë, ndërsa humbja shënon disfatën e parë të Barcelonës në kampionat këtë sezon.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që kërkuan të merrnin iniciativën dhe të krijonin raste para portave kundërshtare.
El Clasico, Barcelona 1-2 Real Madrid: Mbappe sërish hesht ‘Camp Noun’, mbretërit drejt fitores telegrafi.com
Barcelona tentoi të rrezikonte përmes Anthony Gordonit, Raphinhas dhe Lamine Yamalit, ndërsa Real Madridi u përgjigj me aksione të shpejta dhe goditje nga distanca.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 41-të. Kylian Mbappe përfitoi nga një top i mbetur brenda zonës së rreptësisë dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Real Madridit.
🚨🎥| Real Madrid’s play that led to the first goal of the game. 🤯 https://t.co/iRpdFISvqM
— Kalshi FC (@KalshiFC) October 25, 2026
Madrilenët shkuan në pushim me avantazhin minimal, ndërsa Barcelona pati një mundësi të artë për të barazuar në minutën e 44-t, por Lamine Yamal nuk arriti ta shfrytëzonte rastin nga afërsia.
Në pjesën e dytë, Barcelona u rikthye në lojë dhe arriti të barazonte në minutën e 61-të. Pedri dhuroi një pasim të shkurtër për Raphinhan brenda zonës, braziliani shmangu kundërshtarin dhe me një goditje të fuqishme e dërgoi topin në këndin e majtë të portës për rezultatin 1-1. Ky gol riktheu emocionet në El Clásico dhe i dha Barcelonës shpresë për të marrë rezultat pozitiv.
🚨🚨| RAPHINHAAAAAA!!!! BARCELONA EQUALIZEEEE!!! https://t.co/HfDYWg0SBQ
— Kalshi FC (@KalshiFC) October 25, 2026
Pas barazimit, të dyja skuadrat patën mundësi për të kaluar sërish në epërsi. Arda Güler rrezikoi për Real Madridin me një goditje nga distanca, por portieri i Barcelonës reagoi mirë.
Në anën tjetër, Gerard Martin ishte pranë golit me një goditje me kokë pas një goditjeje nga këndi, por portieri madrilen bëri një pritje të shkëlqyer për ta mbajtur rezultatin të barabartë.
Në minutat e fundit, trajnerët tentuan të freskonin skuadrat me zëvendësime, ndërsa loja u bë edhe më e luftuar.
Real Madridi kaloi sërish në epërsi për 2-1 në minutën e 87-të, kur Eduardo Camavinga asistoi për Kylian Mbappen, i cili realizoi golin e dytë për madrilenët, duke i afruar drejt fitores në El Clásico.
🚨🚨| KYLIAN MBAPPE WINS IT FOR REAL MADRID!!!!!!!!!!!!!!! BARCELONA 1-2 REAL MADRID https://t.co/zgogfYdKAA
— Kalshi FC (@KalshiFC) October 25, 2026
Real Madridi arriti ta ruante avantazhin e vet dhe të siguronte një fitore me peshë të madhe në garën për titullin. Për Barcelonën, kjo disfatë shënon fundin e serisë pa humbje në kampionat, por jo edhe humbjen e pozitës së parë.
Pas dhjetë xhirove, Barcelona kryeson me 27 pikë, Atletico Madridi është i dyti me 25 pikë, ndërsa Real Madridi renditet i treti me 24 pikë. Tri skuadrat vazhdojnë të jenë në garë të ngushtë për kreun, ndërsa fitorja në El Clásico i jep Real Madridit një shtysë të rëndësishme për vazhdimin e sezonit. /Telegrafi/