Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, duke kërkuar mbështetje për Koalicionin Shqiptar, i cili garon me numrin 17.
Përmes një mesazhi publik, Kurti ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, duke vlerësuar se secila votë ka peshë për përfaqësimin politik dhe të ardhmen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ju që ende nuk keni votuar, ju ftoj ta ushtroni të drejtën tuaj. Shfrytëzojeni kohën e mbetur. Secila votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen tuaj”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se bashkimi i subjekteve politike shqiptare në kuadër të Koalicionit Shqiptar është i rëndësishëm për përfaqësimin e komunitetit shqiptar dhe përpjekjet kundër diskriminimit.
“Përbashkimi në ‘Koalicionin Shqiptar’ kërkon sot pjesëmarrjen tuaj. Qëndresa ndaj diskriminimit dhe përkushtimi për barazi marrin forcë nga vullneti që shprehni në kutitë e votimit”, është shprehur kryeministri.
Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar të shfrytëzojnë kohën e mbetur, si dhe të ftojnë familjarët dhe miqtë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës.
Në fund të mesazhit, kryeministri ka shprehur hapur mbështetjen për Koalicionin Shqiptar, duke kërkuar që qytetarët të votojnë për këtë subjekt politik.
“Mbështeteni ‘Koalicionin Shqiptar’, numrin 17. Për një zë të fuqishëm dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë jetën në vendlindje”, ka përfunduar Kurti.