Brazili në zgjedhje presidenciale, Lula përballet me djalin e Jair Bolsonaro-s

Bota

Brazilianët votojnë të dielën për të zgjedhur presidentin e ri, në një balotazh të ngushtë mes presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva, 80 vjeç, dhe senatorit të djathtë Flávio Bolsonaro, 45 vjeç, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro. Lula synon një mandat të katërt jo të njëpasnjëshëm në krye të shtetit, ndërsa Flávio Bolsonaro garon […]

Madhësia e shkronjave

Brazilianët votojnë të dielën për të zgjedhur presidentin e ri, në një balotazh të ngushtë mes presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva, 80 vjeç, dhe senatorit të djathtë Flávio Bolsonaro, 45 vjeç, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Lula synon një mandat të katërt jo të njëpasnjëshëm në krye të shtetit, ndërsa Flávio Bolsonaro garon pas fitores në raundin e parë, të mbajtur më 4 tetor, transmeton Telegrafi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi rezultatin e tij si një fitore shumë të rëndësishme. Sipas raportit, asnjë kandidat që ka dalë pas në raundin e parë nuk ka arritur deri më tani ta përmbysë rezultatin dhe të fitojë në balotazh.

Jair Bolsonaro, ish-presidenti i Brazilit, po vuan një dënim prej 27 vjetësh burg për komplot për grusht shteti, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2022. Megjithatë, për shkak të gjendjes shëndetësore, ai po e vuan dënimin në arrest shtëpiak. I biri ka premtuar se do ta lirojë nëse fiton zgjedhjet.

Gjatë tubimeve të fundit, mbështetësit e Flávio Bolsonaro-s shprehën besim se ai do të sjellë ndryshim në vend. Kandidati ka premtuar masa të ashpra kundër krimit të organizuar, ulje të taksave dhe shkurtim të shpenzimeve publike.

Ai zhvilloi një tubim në Belo Horizonte, kryeqyteti i shtetit Minas Gerais, i cili konsiderohet një territor vendimtar për kandidatët presidencialë që nga vitet 1980. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Bolsonaro u tha mbështetësve se kishin mbetur vetëm pak orë për të përcaktuar të ardhmen e Brazilit për 30 ose 40 vitet e ardhshme.

Edhe në Barra da Tijuca, në Rio de Janeiro, ku Jair Bolsonaro ka një shtëpi, mbështetësit e tij u mblodhën të veshur me ngjyrat kombëtare të Brazilit.

Një prej tyre tha për BBC-në se vendi ka nevojë për ndryshim pas viteve të qeverisjes së së majtës, të cilën e fajësoi për problemet ekonomike. Një tjetër mbështetëse përmendi premtimet e Flávio Bolsonaro-s për të luftuar dhunën, terrorizmin dhe trafikun e drogës, si dhe për të ulur normat e interesit.

Nga ana tjetër, mbështetësit e Lulës kanë organizuar tubime të mëdha për të nxitur pjesëmarrjen në votime, pasi rreth 33 milionë njerëz nuk votuan në raundin e parë. Të shtunën, Lula iu drejtua një turme të madhe në plazhin Copacabana të Rios, duke e paraqitur zgjedhjen si çështje të sovranitetit kombëtar.

Ai tha se votuesit duhet të zgjedhin mes atyre që puthin flamurin brazilian dhe atyre që puthin flamurin amerikan. Administrata e Lulës e ka akuzuar SHBA-në për ndërhyrje në zgjedhjet e Brazilit, pretendim që Uashingtoni e ka cilësuar të pabazë.

“Do t’i fitojmë zgjedhjet për një arsye të thjeshtë: është e vërtetë që njerëzit duan ndryshim, por duan të ecin përpara. Nuk duan të kthehen prapa”, deklaroi Lula.

Mbështetësit e tij thonë se tubimet synojnë të tregojnë fuqinë e lëvizjes dhe të mobilizojnë më shumë votues. Një prej tyre i tha BBC-së se njerëzit janë zgjuar dhe po dalin në rrugë për të ndikuar në rezultat. Ndërkohë, një mbështetës i veshur me fanellën verdhejeshile të kombëtares braziliane tha se përkrahësit e Bolsonaro-s e kishin përvetësuar këtë simbol kombëtar, por se mbështetësit e Lulës po e rimerrnin atë.

Lula dhe Partia e Punëtorëve e kanë cilësuar garën si një “betejë për demokracinë”, duke argumentuar se dënimi i Jair Bolsonaro-s për komplot për grusht shteti tregon rrezikun që, sipas tyre, përfaqëson “bolsonarizmi” për institucionet demokratike të Brazilit.

Marrëdhëniet mes Lulës dhe presidentit amerikan Donald Trump kanë qenë të tensionuara gjatë mandatit të fundit të presidentit brazilian.

Lula ka këmbëngulur se Brazili nuk është “oborri i pasmë i askujt”, në një referencë ndaj doktrinës që Trump e ka quajtur “Doktrina Donroe”, e cila synon të afirmojë ndikimin amerikan në hemisferën perëndimore.

Flávio Bolsonaro, në anën tjetër, argumenton se bashkëpunimi me Uashingtonin për të luftuar bandat e fuqishme kriminale mund ta rikthejë autoritetin e shtetit në zonat ku këto grupe ushtrojnë ndikim të madh.

Ai ka akuzuar gjithashtu Partinë e Punëtorëve për korrupsion, duke u kujtuar votuesve skandalet e mëdha financiare që e kanë goditur partinë ndër vite dhe kanë larguar një pjesë të elektoratit nga ajo.

Sipas planit të njoftuar, Lula do t’i ndjekë rezultatet e zgjedhjeve nga São Paulo, ndërsa Flávio Bolsonaro do të jetë në kryeqytetin Brasília, ku babai i tij ndodhet në arrest shtëpiak. /Telegrafi/

Komentet