UBT shënon 25-vjetorin me tri ngjarje të mëdha ndërkombëtare, Hajrizi: Kosova po bëhet qendër e shkencës dhe inovacionit

Nacionale

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit, UBT po organizon tri ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, duke sjellë në Kosovë qindra ekspertë, shkencëtarë dhe përfaqësues të institucioneve prestigjioze botërore. Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e Samitit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), Konferencës së […]

Madhësia e shkronjave

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit, UBT po organizon tri ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, duke sjellë në Kosovë qindra ekspertë, shkencëtarë dhe përfaqësues të institucioneve prestigjioze botërore.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e Samitit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026) dhe Konferencës së 15-të Ndërkombëtare Shkencore IC–UBT.

– YouTube www.youtube.com

Sipas tij, organizimi i këtyre ngjarjeve përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e kërkimit shkencor dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes akademisë, industrisë dhe institucioneve.

Samiti ndërkombëtar i cilësisë sjell deri në 300 pjesëmarrës nga bota

Duke folur për Samitin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi, Hajrizi tha se përzgjedhja e Kosovës si vend organizator përbën një arritje të rëndësishme.

Ai bëri të ditur se vendimi për organizimin e samitit në Kosovë është marrë pas shprehjes së interesimit nga përfaqësuesit e Kosovës në kuadër të organizatës.

Sipas Hajrizit, në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë rreth 200 deri në 300 pjesëmarrës ndërkombëtarë dhe afërsisht 90 folës nga universitete, kompani, institucione dhe organizata të ndryshme.

“Kemi arritur që këta 90 folës të jenë të gatshëm që me punimet, praktikat dhe mesazhet e tyre të marrin pjesë. Do të kemi kolegë që do të flasin nga Harvardi, nga Universiteti i Kembrixhit, nga Siemens dhe nga qeverisjet lokale të vendeve të ndryshme”, u shpreh Hajrizi.

Ai theksoi se diskutimet do të përfshijnë standardet ndërkombëtare të cilësisë, inovacionin, inteligjencën artificiale, arsimin, shëndetësinë, energjinë dhe administratën publike.

Një nga rezultatet e synuara të samitit, sipas tij, është miratimi i një deklarate ndërkombëtare për të ardhmen e cilësisë dhe standardeve.

“Pritja jonë është që në fund të samitit të dalim me një deklaratë, Deklarata e UBT-së dhe e Prishtinës 2026, me të cilën të japim një orientim se si duhet ta trajtojmë cilësinë dhe standardet për 50 vitet e ardhshme”, deklaroi ai.

Konferenca e mjekësisë sportive, Hajrizi: Kosova ka nevojë për zhvillimin e kësaj fushe

Një tjetër ngjarje e rëndësishme është Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive, e cila synon avancimin e shërbimeve shëndetësore për sportistët dhe shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare.

Hajrizi vlerësoi se mjekësia sportive është një fushë që ende nuk është zhvilluar mjaftueshëm në Kosovë, megjithëse pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare kërkon mbështetje gjithnjë e më profesionale.

Ai tha se UBT ka ndërmarrë iniciativa për themelimin e Shoqatës së Mjekësisë Sportive në Kosovë, anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe zhvillimin e infrastrukturës profesionale.

Sipas tij, konferenca e këtij viti do të ketë edhe një veçanti, pasi është akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, duke u mundësuar pjesëmarrësve të përfitojnë pikë për zhvillimin e tyre të vazhdueshëm profesional.

Në konferencë, sipas Hajrizit, pritet të marrin pjesë drejtues të organizatave ndërkombëtare të mjekësisë sportive, si dhe ekspertë nga Gjermania dhe vende të tjera.

Ai theksoi se teknologjitë moderne për monitorimin e gjendjes shëndetësore të sportistëve dhe parandalimin e problemeve gjatë aktiviteteve sportive do të jenë ndër temat e rëndësishme të diskutimit.

Konferenca shkencore e UBT-së bashkon mijëra pjesëmarrës

Rektori foli edhe për Konferencën e 15-të Ndërkombëtare Shkencore IC–UBT, e cila organizohet në vazhdimësi prej 15 vjetësh.

Sipas Hajrizit, kjo platformë përfshin rreth 22 konferenca të organizuara paralelisht nga fakultetet dhe shkollat e UBT-së, duke krijuar mundësi për bashkëpunim ndërmjet studiuesve të disiplinave të ndryshme.

Ai tha se në kuadër të kësaj ngjarjeje pritet pjesëmarrja e mijëra studiuesve, ekspertëve dhe profesionistëve.

Hajrizi vlerësoi se organizimi i konferencave ndërkombëtare në Kosovë u jep mundësi veçanërisht shkencëtarëve të rinj që të shkëmbejnë njohuri dhe të krijojnë kontakte profesionale pa qenë të detyruar të udhëtojnë jashtë vendit.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërdisiplinor është gjithnjë e më i domosdoshëm për adresimin e sfidave me të cilat përballet shoqëria.

UBT shënon 25 vjet, synon zgjerim ndërkombëtar

Duke reflektuar për 25 vitet e funksionimit të UBT-së, Hajrizi tha se institucioni ka shënuar rritje të vazhdueshme në arsim, teknologji, inovacion dhe ndërkombëtarizim.

“Është një fat i mirë që në këto 25 vite kemi pasur një rritje të vazhdueshme organike, inovative, një qasje lidershipi dhe të teknologjive moderne, një rritje të vendeve të punës”, deklaroi ai.

Hajrizi theksoi se përvjetori nuk duhet të shihet si përfundim i një etape, por si mundësi për të vazhduar zhvillimin dhe për të zgjeruar modelin e institucionit në nivel ndërkombëtar.

Ai foli edhe për ekosistemin e krijuar nga UBT-ja, i cili, sipas tij, përfshin rreth 80 funksione organizative, afërsisht 300 laboratorë dhe 150 fusha të ndryshme të veprimtarisë.

Rektori u shpreh se synimi për vitet e ardhshme është rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar, zhvillimi i teknologjive të reja dhe fuqizimi i rolit të UBT-së në zgjidhjen e sfidave globale.

Sipas tij, organizimi i tri ngjarjeve ndërkombëtare jo vetëm që kontribuon në zhvillimin akademik dhe profesional, por ndikon edhe në promovimin e Kosovës dhe në ekonominë vendore përmes pjesëmarrjes së vizitorëve ndërkombëtarë. /Telegrafi/

Komentet