Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, ka njoftuar se kanë mbetur edhe pak bileta për koncertin “Passion & Origin” në Düsseldorf, i cili do të mbahet më 30 tetor 2026, në orën 20:30, në Robert-Schumann-Saal.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lahaj ka bërë të ditur se biletat për koncertin janë drejt sold out.
“Passion & Origin” është një projekt koncertal që ndërthur rrugëtimin personal dhe artistik të tenorit me lidhjen e tij me Kosovën dhe kulturën shqiptare. Programi përfshin këngë italiane e franceze, muzikë klasike të repertorit ndërkombëtar, krahas melodive nga Kosova dhe Shqipëria.

Në këtë turne, Lahaj shoqërohet nga ARMA Ensemble, me të cilin sjell një program që bashkon stile dhe tradita të ndryshme muzikore.
Me anë të këtij turneu, tenori do të sjellë në skenë muzikën që ka ndikuar në formimin artistik, si dhe tingujt që e lidhin atë me origjinën e tij.
Turneu ndërkombëtar nisi më 10 tetor në Zürich të Zvicrës. Pas ndalesës në Düsseldorf, ai do të vazhdojë më 8 nëntor në Vjenë, në Wiener Konzerthaus, në sallën Großer Saal, ndërsa një tjetër koncert është planifikuar më 13 dhjetor në Toronto të Kanadasë.
Koncertet e radhës:
Düsseldorf – 30 tetor 2026, ora 20:30, Robert-Schumann-Saal
Vjenë – 8 nëntor 2026, ora 19:00, Wiener Konzerthaus, Großer Saal
Toronto – 13 dhjetor 2026, Bluma Appel Theatre





