“Asnjë kolltuk nuk vlen sa jeta e një shqiptari”, “Kujdes, hiqni fëmijët nga protesta” dhe “Heshtja nuk duhet të jetë zgjidhje kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen”, këto janë disa nga mesazhet që personazhet e njohura shqiptare kanë përcjellë përmes rrjeteve sociale, pas pamjeve gjatë protestave në Shqipëri.
Zhvillimet në Tiranë kanë nxitur reagime të shumta nga artistët, të cilët këtë herë nuk kanë folur për muzikën, televizionin apo jetën personale, por për situatën në vend dhe pasojat që përplasjet mund të kenë te qytetarët.
Përmes postimeve të tyre, disa kanë dënuar dhunën ndaj protestuesve, të tjerë kanë shprehur shqetësim për sigurinë e të rinjve, ndërsa ka pasur edhe thirrje drejtuar politikës për të marrë përgjegjësi.
Foto: Screenshot/Top Channel
Një nga reagimet më të drejtpërdrejta ishte ai i reperit Capital T, i cili iu drejtua mediave të Kosovës, duke kërkuar që të mos heshtin përballë zhvillimeve në Shqipëri.
Ai theksoi se mediat kanë përgjegjësi morale për t’u dhënë hapësirë zërave të qytetarëve që protestojnë dhe për të dokumentuar atë që po ndodh, pa censurë dhe pa raportime të njëanshme.
“Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe përgjegjësi morale ndaj së vërtetës dhe interesit publik”, shkroi ai, duke shtuar se e vërteta dhe përgjegjësia njerëzore nuk njohin kufij administrativë.
Në fund, reperi përcolli një mesazh të qartë, heshtja nuk duhet të jetë zgjidhje kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen.
Edhe Adrola Dushi reagoi pas publikimit të pamjeve ndaj protestuesve.
Modelja ndau një video që, sipas mesazhit të saj, i kujtoi asaj pamjet e dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ajo u shpreh e tronditur nga ajo që pa, duke theksuar se nuk mund ta kuptojë se si njerëzit mund të sillen me kaq egërsi ndaj njëri-tjetrit.
“Me duket e pamundur që dikush ta bënte këtë me vetëdije, mendoja se duhet t’i kishin droguar për të humbur çdo ndjenjë njerëzore”, shkroi ajo.
Foto: Instagram
Një tjetër reagim erdhi nga Xhensila Myrtezaj, e cila publikoi një mesazh të shkurtër, por të fortë, kundër gjithë kësaj.
“Asnjë kolltuk nuk vlen sa jeta e një shqiptari”, shkroi këngëtarja, duke e shoqëruar postimin me thirrjen “Stop vëllavrasjes”.
Mesazhi i saj u përqendrua te vlera e jetës njerëzore dhe te rreziku që përplasjet mes qytetarëve dhe forcave të rendit të çojnë në pasoja të rënda.
Foto: Instagram
Ndërkohë, Bes Kallaku zgjodhi të ndalet te siguria e fëmijëve dhe e të rinjve gjatë protestave.
Aktori publikoi një fotografi të një të riu të lënduar, duke ngritur pyetjen se si mund të lejohet që fëmijët të përballen me situata të tilla.
“Kujdes, hiqni fëmijët nga protesta! Nuk kanë limite”, ishte mesazhi i tij.
Foto: Instagram
Reagim të gjatë dhe emocional pati edhe nga Aurela Gaçe, e cila u ndal te dhuna, por edhe te përgjegjësia e politikanëve që kanë drejtuar vendin ndër vite.
Këngëtarja shkroi se pamjet e fundit e kanë prekur thellë dhe se nuk mund të qëndrojë indiferente përballë asaj që po ndodh.
Ajo tregoi se kishte qenë edhe më herët në shesh gjatë protestave paqësore, ndonëse kësaj here vendosi të shkojë për të parë nga afër situatën, por u largua shpejt për shkak të gazit lotsjellës.
“Nuk i hyj analizave. Kam një pyetje. Kush e sjell këtë ‘shpresë të humbur’? Kush është përgjegjës për 35 vite që përsëriten të njëjtat premtime e për 35 vite vazhdojmë të ikim e ikim?”, shkroi ajo, duke kërkuar përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe për zhgënjimin e qytetarëve.
Në një tjetër postim, solli në vëmendje edhe figurën e Florit, duke pyetur nëse njerëzit që kanë dëgjuar këngët e tij mund ta kuptojnë dhimbjen e një nëne që humb fëmijën.
Përmes këtyre mesazheve, këngëtarja ngriti pyetje për përgjegjësinë politike dhe për pasojat njerëzore që mund të lënë ngjarje të tilla.
Foto: Instagram
Edhe Çiljeta Xhilaga ndau një reflektim mbi kufijtë që mund të kapërcejë njeriu kur humbet ndjenjën e arsyes.
Ajo u shpreh se revolucioni më i madh që i duhet shoqërisë nuk është domosdoshmërisht ai që përfshin të gjithë përreth, por ai që nis brenda vetes.
“Kjo vlen për mua, për ty që po më lexon, për politikanin, për qytetarin, për policin, për të riun që proteston dhe për prindin që pret në shtëpi”, shkroi këngëtarja, duke paralajmëruar se, nëse njerëzit vazhdojnë ta shohin njëri-tjetrin si armiq, rrezikojnë të krijojnë një përçarje që mund të lërë pasoja për brezat e ardhshëm.
Theksoi se asnjë parti, pushtet apo bindje politike nuk vlen më shumë se jeta e një njeriu.
Në mesin e reagimeve ishte edhe ai i këngëtares së njohur, Vesa Luma.
“Ende nuk e besoj që pashë këtë skenë. A keni më zemër? A keni fëmijë? A keni vëllezër e motra? A jeni shqiptarë? Fjala turp është pak për ju”, shkroi ajo.
Një reagim për ngjarjet e fundit në Shqipëri nuk mungoi as nga moderatorja e këngëtarja, Luana Vjollca.
Ajo i del në mbrojtje fëmijëve, duke thënë se duhet të jenë të mbrojtur dhe larg frikës e kaosit.
Foto: Instagram
Arbana Osmani nga ana tjetër theksoi se ka qenë duke e analizuar situatën, që më pas të dalë me një reagim.
Si shumë të tjerët, është me popullin dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Reagimet e këtyre artistëve, edhe pse me tone dhe këndvështrime të ndryshme, bashkohen në një pikë, shqetësimin për dhunën dhe pasojat që ajo mund të ketë te njerëzit.
Disa kërkojnë përgjegjësi nga politika dhe institucionet, të tjerë bëjnë thirrje për mbrojtjen e protestuesve dhe të miturve, të gjithë e vendosin jetën njerëzore mbi çdo interes politik.
Në një kohë kur rrjetet sociale janë kthyer në hapësirë ku qytetarët dhe personazhet publike ndajnë qëndrimet e tyre, këto mesazhe tregojnë se ngjarjet në Shqipëri kanë prekur edhe artistët, duke i shtyrë të flasin përtej skenës.
Dhe mes gjithë reagimeve, një ide përsëritet: asnjë pushtet, bindje apo përplasje nuk duhet të ketë më shumë vlerë se jeta dhe dinjiteti i njeriut. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com






