Sulmues kibernetikë godasin fondet e pensioneve të Cyrihut dhe të Swiss Post

Teknologji

Pas një sulmi kibernetik ndaj një ofruesi të jashtëm të softuerit, janë vjedhur edhe të dhëna personale nga Fondi i Pensioneve të Cyrihut, ndërsa dyshohet se mund të jenë prekur edhe të dhënat e Fondit të Pensioneve të Postës Zvicerane. Qyteti i Cyrihut ka bërë të ditur se asetet dhe pagesat e pensioneve vazhdojnë të […]

Madhësia e shkronjave

Pas një sulmi kibernetik ndaj një ofruesi të jashtëm të softuerit, janë vjedhur edhe të dhëna personale nga Fondi i Pensioneve të Cyrihut, ndërsa dyshohet se mund të jenë prekur edhe të dhënat e Fondit të Pensioneve të Postës Zvicerane.

Qyteti i Cyrihut ka bërë të ditur se asetet dhe pagesat e pensioneve vazhdojnë të funksionojnë normalisht. Ndërkohë, ditët e fundit, viktima të sulmeve kibernetike kanë qenë edhe fonde të tjera zvicerane të pensioneve.

Sipas autoriteteve të Cyrihut, sulmi ndodhi në fund të shtatorit. Para kalimit në një sistem të ri të menaxhimit, të dhënat e fondit të pensioneve ishin transferuar më herët. Për këtë rast, fondi ka paraqitur kallëzim penal, raporton Swissinfo.

Aktualisht, fondi po përpiqet të përcaktojë saktësisht se cilat të dhëna janë vjedhur dhe sa persona janë prekur nga sulmi.

Në skenarin më të keq, shkelja e të dhënave mund të përfshijë informacione personale të kontaktit, si emrin, adresën, adresën e emailit dhe numrin e telefonit, numrin e sigurimeve shoqërore, statusin martesor, të dhënat për partnerët, numrin IBAN, si dhe informacione lidhur me pensionin, përfshirë të ardhurat dhe asetet e siguruara.

Megjithatë, sistemi administrativ që përdoret nga fondet për menaxhimin e aseteve dhe pagesën e pensioneve nuk besohet të jetë prekur nga sulmi.

Edhe Fondi i Pensioneve i Postës Zvicerane ka konfirmuar, përmes një njoftimi për shtyp të publikuar këtë mbrëmje, se është prekur nga sulmi kibernetik ndaj ofruesit të softuerit. Ende nuk është e qartë nëse të dhënat e personave të siguruar janë komprometuar, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit të Postës Zvicerane, asetet dhe përfitimet e pensioneve nuk janë në rrezik. Megjithatë, sulmi mund të ketë prekur të dhëna personale, si emri, adresa, data e lindjes, numri i sigurimeve shoqërore, të dhënat e kontaktit, adresa e emailit dhe informacionet lidhur me pensionin.

Sulmi kibernetik ka prekur edhe fonde të tjera të pensioneve në Zvicër. Javën e kaluar u bë e ditur se të dhëna ishin vjedhur edhe nga Fondi i Pensioneve të Bernës dhe Fondi i Sigurimeve të Mësuesve të Bernës./Telegrafi/

Komentet