Studiuesit e të drejtave digjitale nga organizata The Citizen Lab kanë zbuluar një formë të re dhe tejet të rrezikshme të sulmeve kibernetike. Prodhuesit e softuerëve të spiunazhit po keqpërdorin rrjetet globale të reklamave për të depërtuar në telefonat dhe pajisjet e tjera në mbarë botën, duke shfaqur reklama keqdashëse në internet.
Sipas një raporti të laboratorit të Universitetit të Torontos, kompania izraelite Discover-Tech u mundëson krijuesve të softuerëve të spiunazhit të shfrytëzojnë platformën e saj të reklamave për të shënjestruar me saktësi individë dhe institucione të caktuara.
Studiuesit theksojnë se Discover-Tech paraqitet publikisht si një platformë legjitime marketingu, por në praktikë shërben si një urë lidhëse mes shitësve të reklamave dhe ekosistemit të softuerëve komercialë të spiunazhit.
Sipas gjetjeve të Citizen Lab, platforma është përdorur nga të paktën dy prodhues të njohur të softuerëve të spiunazhit që mundësojnë sulme pa klikim, të njohura si zero-click: Candiru dhe Bindecy.

Këto mjete të mbikëqyrjes mund të infektojnë pajisjet pa pasur nevojë për asnjë ndërveprim nga viktima. Përdoruesi nuk duhet të klikojë në ndonjë lidhje të dyshimtë apo të hapë një mesazh. Mjafton që reklama keqdashëse të ngarkohet në një faqe interneti që viziton ose brenda një aplikacioni që përdor.
Një nga dëshmitë më konkrete të këtij aktiviteti është sulmi ndaj rrjetit mediatik Al Jazeera. Gjatë viteve 2024 dhe 2025, të paktën 45 kompjuterë me sistemin operativ Windows u infektuan përmes softuerit Candiru, pasi ishin ekspozuar ndaj reklamave që përmbanin kod keqdashës.
Edhe pse studiuesit nuk kanë përcaktuar se cilat qeveri qëndrojnë pas këtyre operacioneve, rasti përbën përdorimin e parë të konfirmuar teknikisht të rrjeteve të reklamave online për shpërndarjen e softuerëve qeveritarë të spiunazhit pa pasur nevojë për klikim.
Si u zbulua operacioni?
Studiuesit arritën të siguronin prova kyçe falë dobësive të sigurisë në platformën Controlium, e cila i përket kompanisë Discover-Tech.
Faqja e internetit e platformës kishte ekspozuar kodin burimor dhe pjesë të sistemit që mundësonin shkarkimin e bazës së të dhënave të përdoruesve pa pasur nevojë për fjalëkalim.
Mes të dhënave të identifikimit u gjetën llogari të punonjësve të kompanive Candiru dhe Bindecy. Studiuesit analizuan gjithashtu miliarda regjistrime të ankandeve të reklamave, të cilat tregojnë se reklamat e dyshimta u shfaqën në dhjetëra mijëra aplikacione mobile dhe faqe interneti nga marsi deri në qershor të vitit 2026.
Në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë së reklamave Confiant, studiuesit zbuluan se këto reklama shfaqeshin në rrjete të përdorura nga institucione ushtarake, organe qeveritare, agjenci kombëtare të sigurisë kibernetike, si dhe organizata ndërkombëtare.
Mes institucioneve të prekura nga ekspozimi ndaj këtyre reklamave ishin edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).
Megjithatë, deri më tani nuk dihet nëse shfaqja e këtyre reklamave ka rezultuar në infektimin e suksesshëm të pajisjeve të tyre. /Telegrafi/





