Ish-trajneri i Ballkanit, Mislav Karoglan, ka gjetur një skuadër të re, duke marrë drejtimin e Partizanit të Tiranës.
Tekniku kroat është emëruar zyrtarisht në krye të skuadrës së njohur shqiptare, me të cilën ka nënshkruar kontratë dyvjeçare.
Karoglan, 44-vjeçar, vjen te Partizani pas eksperiencës me Ballkanin e Suharekës, të cilin e drejtoi nga nëntori i vitit të kaluar deri në gusht të këtij viti.
Tashmë, trajneri kroat do të ketë një sfidë të re në karrierën e tij, duke synuar të lërë gjurmë në futbollin shqiptar dhe të ndihmojë Partizanin në objektivat e tij për sezonet e ardhshme.
Përveç Ballkanit, Karoglan ka punuar edhe me skuadra të tjera, si Sheriff Tiraspol, Hajduk Split dhe Istra, duke fituar përvojë në disa kampionate të ndryshme.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi kryeqytetas, i cili ka bërë të ditur se trajneri është prezantuar nga presidenti Gazment Demi.
“Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me teknikun kroat Mislav Karoglan, i cili merr zyrtarisht drejtimin e skuadrës”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kjo do të jetë përvoja e parë e Karoglanit në kampionatin shqiptar, pas aventurës së fundit në Superligën e Kosovës me Ballkanin./Telegrafi/






