Sot mbahet dita e dytë e protestës studentore në Tiranë.
Studentët e disa universiteteve në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë edhe sot në rrugë, një ditë pas protestës së shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë.
Protesta për sot është paralajmëruar për në ora 14:00.
14/10/2026 13:02- Protesta e studentëve, policia apel: Distancohuni nga personat e maskuar që sulmojnë efektivët

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestën studentore në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas policisë, po sulmojnë punonjësit e saj dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
Në një apel drejtuar protestuesve, Policia thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por nënvizon se dhuna ndaj efektivëve, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Lajmi i plotë këtu:
14/10/2026 12:43- Të rinjtë i vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërhyn Policia
Situata para Ministrisë së Arsimit vazhdon të jetë e tensionuar pasditen e sotme, teksa një grup të rinjsh kanë ndezur flakë në koshat e mbeturinave.
Protesta është shoqëruar me tensione dhe tym e zjarr në rrugë, raportojnë mediat në Shqipëri.
Reagimi i forcave të rendit ka qenë i menjëhershëm. Efektivët e policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje për të shuar flakët, për të rikthyer rendin dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
14/10/2026 12:06- Studentët shkulin kangjellat e hekurit përpara Ministrisë së Arsimit dhe gjuajnë me mjete piroteknike
Ende pa nisur protesta e thirrur në ora 14:00 ka nisur grumbullimi i studentëve.
Po ashtu mediat në Shqipëri raportojnë për tensione para Ministrisë së Arsimit.
Studentët kanë shkulur kangjellat e hekurit përpara godinës, ndërsa kanë goditur edhe derën e godinës, përfshirë edhe mjetet piroteknike. Ndërkohë, forcat policore janë rreshtuar pas derës së Ministrisë.
14/10/2026 12:03- Studentët në protestë, policia “blindon” Kryeministrinë!
Studentë, të rinj dhe gjimnazistë të shumtë janë ngritur në protestë edhe këtë të mërkurë një ditë pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit.





