Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, vlerëson se Kosova duhet ta përqendrojë agjendën ndërkombëtare të katër viteve të ardhshme në dy objektiva kryesorë, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Rashiti ka thënë se funksionimi i institucioneve dhe përmirësimi i marrëdhënieve parlamentare krijojnë mundësi për një agjendë më të qartë shtetërore.
Sipas tij, qytetarët duhet të kërkojnë rezultate konkrete nga institucionet, ndërsa politika duhet t’i përcaktojë dhe t’i ndjekë me vendosmëri objektivat ndërkombëtarë.

“Brenda katër vjetësh, Kosova duhet të ndërtojë të gjithë agjendën ndërkombëtare për të arritur te anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe marrja e statusit kandidat”, ka deklaruar Rashiti, shkruan Telegrafi.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e një agjende të konsoliduar për këto synime do të përbënte dështim për vendin.
“Nëse politika dhe institucionet nuk i kanë këto agjenda mirë të konsoliduara, do të jetë dështim për Kosovën”, është shprehur ai.
– YouTube www.youtube.com
Rashiti ka shpjeguar se arritja e këtyre objektivave kërkon angazhim në disa drejtime.
“Nw bashkëpunim rajonal, zbatim të aspekteve të dialogut me Serbinë, rikonsolidim të diplomacisë dhe forcim të marrëdhënieve me vendet e Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.
Ai ka përfshirë në këtë agjendë edhe përpjekjet për njohje të reja, normalizimin e situatës në veri dhe dialogun me NATO-n.
Sipas Rashitit, marrëveshja ndërmjet LVV-së dhe PDK-së për zgjedhjen e presidentes mund të shërbejë si shembull për dakordime të tjera ndërpartiake, përfshirë mënyrën e zbatimit të çështjeve kryesore të dialogut.
Analizë nga Naim Rashiti në “Përballje Podcast”: Çka e pret Kosovën pas zgjedhjes së presidentes dhe si duhet të mobilizohet për Specialen?
Ai vlerëson se ulja e polarizimit dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve e partive do ta ndihmonin Kosovën të përparonte në proceset ndërkombëtare.
“Çfarë kërkojnë këto dy agjenda duhet të bëhet me ngulm, me shpejtësi, për ta nxjerrë Kosovën në një stad tjetër”, ka thënë Rashiti.
Në përfundim, ai ka theksuar se maturia politike dhe nxjerrja e mësimeve nga krizat e kaluara mund të krijojnë mundësi për rikonsolidimin e vendit.
“Me kaq pak veprime politike të matura, Kosova mund të këndellet, të duket tërësisht më ndryshe brenda dhe jashtë”, është shprehur Rashiti. /Telegrafi/.





