Arsenali po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Interit, Andy Diouf, gjatë afatit kalimtar të janarit. Megjithatë, londinezët përballen me kërkesat e larta financiare të klubit italian, i cili nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtë nga futbollisti francez.
Sipas mediumit anglez CaughtOffside, më 12 tetor 2026, drejtuesit e Arsenalit e kanë përfshirë 23-vjeçarin në listën e objektivave për përforcimin e mesfushës. Interi raportohet se kërkon nga 50 deri në 60 milionë euro për ta lejuar largimin e tij.
Diouf, i cili ka regjistruar dy paraqitje me kombëtaren e Francës, iu bashkua Interit në gusht të vitit 2025, duke ardhur nga Lens për një shumë prej 20 deri në 25 milionë euro. Më herët, në korrik të vitit 2023, ai ishte transferuar nga Baseli te klubi francez për 15 milionë euro.
Mesfushori ka kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2030, ndërsa drejtuesit e klubit zikaltër nuk e kanë në plan shitjen e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Nën drejtimin e trajnerit Cristian Chivu, francezi ka arritur të sigurojë një vend në formacionin titullar, falë kontrollit të mirë të topit dhe aftësive për të dribluar kundërshtarët në situata një kundër një.
Arsenali nuk është klubi i vetëm që po e monitoron situatën e mesfushorit. Edhe Chelsea, Barcelona dhe Paris Saint-Germaini po mbledhin informacione për të vlerësuar mundësinë e paraqitjes së një oferte në afatet e ardhshme kalimtare.
Arsenali rivalizon Real Madridin për Michael Olise
Megjithëse vlera e tij në treg vlerësohet rreth 30 milionë euro, pozita e fortë negociuese e Interit e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për një shumë më të ulët se ajo e kërkuar nga klubi italian.
Drejtuesit e Arsenalit po analizojnë mundësitë financiare për të paraqitur një ofertë zyrtare prej 50 deri në 60 milionë euro. Sipas raportimit, londinezët mund ta përballojnë këtë investim në afatin kalimtar të verës së vitit 2027, pa rrezikuar shkeljen e rregullave financiare./Telegrafi/






